Skuadra e Trepçës ’89 është larguar nga Superliga e Kosovës, duke mos arritur që të sigurojë mbijetesën në nivelin elitar të futbollit kosovar.
Mitrovicasit ishin shumë afër që të siguronin barazhin, por që fitorja e Ferizajt ndaj Dukagjinit, e dërgoi skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Idrizi në Ligën e Parë.
Presidenti i kësaj skuadre, Abedin Zeka tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se skuadra do të organizohet dhe se trajneri Shpëtim Idrizi do të jetë poashtu pjesë e skuadrës edhe për edicionin tjetër.
“Ne kemi një projekt natyrisht për edicionin e ardhshëm. Disa futbollistë i kemi lëshuar me marrëveshje të dyanshme, kurse disa prej tyre janë larguar pasi kontrata e tyre kishte përfunduar. Trajneri Idrizi do të vazhdojë punën edhe edicionin tjetër, nuk ka qenë faji i tij që ne jemi larguar. 8 ose 9 futbollistë nga juniorët do të inkuadrohen tek skuadra e parë, kurse do të kërkojmë edhe 3 ose 4 transferime të tjera për pozitat që na duhen”, tha Zeka për ‘GazetaBlic Sport.

/GazetaBlic Sport/


