Lajme

Abdixhiku takon delegacionin 30 anëtarësh të CSU-së: LDK-ja i ruan dhe i kultivon raporte me forcat kryesore evropiane

05/09/2024 19:42
nga:G B

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim një delegacion 30 anëtarësh të CSU-së gjermane nga landi i Bavarisë, të udhëhequr nga ish-kryeministri bavarez, Gunther Beckstein

Abdixhiku tha se në takim u fol për rrugëtimin e LDK-së në veçanti, e përpjekjen e Kosovës në përgjithësi si dhe bashkëpunimin e ngushtë me CSU-në.

“Si dy parti të anëtarësuara në formacionin më të madh politik në Evropë, në Partitë Popullore Evropiane, ndajmë të njëjtat vlera dhe bindje politike. Bashkëpunimi ynë është më shumë se një deklaratë e përbashkët sot; është një zotim për të krijuar rrugë me më shumë projekte konkrete që ngrisin nivelin tonë partiak në standarde evropiane”, shkroi Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku tha se LDK-ja i ruan dhe i kultivon me kujdes raportet me forcat kryesore evropiane, e që sipas tij, edhe pritja e takimi i sotëm kishin këtë qëllim.