Lajme

Abdixhiku: Kurti nuk di të qeverisë, 320 mijë fëmijë rrinë në shtëpi, ndërsa kryeministri largohet në Japoni

09/27/2022 10:29
nga:G C

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka komentuar udhëtimin e Kurtit drejt Japonisë, raporton GazetaBlic.

Në një postim në “Facebook”, Abdixhiku thotë se Kurti nuk di të qeverisë teksa e quan të paaftë dhe të papërgjegjshëm, që udhëtoi në Japoni ku Kosova ka hyrë në javën e pestë të grevës.

“Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike. Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatitë vendin për betejat e madha përpara – në energjetike, inflacion, shëndetësi e ekonomi. Ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi”, ka shkruar Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim – rrinë në shtëpi – por Kryeministri i Kosovës zgjedhë të largohet për në Japoni.

Paaftësi dhe papërgjegjësi!

Ky njeri nuk di të qeverisë!

Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?

Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike. Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatitë vendin për betejat e madha përpara – në energjetike, inflacion, shëndetësi e ekonomi. Ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi.