Abdixhiku kërkon reagimin e KPM-së: Ofendimet ndaj viktimave të vrasjeve politike cenojnë kujtesën historike të Kosovës!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratave që, sipas tij, janë bërë lidhur me vrasjet politike në Kosovë, duke kërkuar reagim nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Përmes një reagimi, Abdixhiku ka thënë se prej kohësh, sipas tij, ekziston një agjendë kundër LDK-së, duke përmendur deklaratat dhe pretendimet që lidhen me vrasjet politike dhe historinë e kësaj partie.

Postimi i tij i plotë:

“Ju kam thënë, mos i dëgjoni!

Në fillim flasin për fotografi. Pse e kërkojnë aty. Le ta largojmë. Më pas trillojnë për gurë të mbështjellë në celofan e të nisur për në Beograd. Dikur i shpallin viktimat kufoma politike – sepse s’kanë asnjë ndjesi njeriu. Fundja, njihen veç për zhurmë, shpifje, sharje e grushte mes vete – analizë u thonë këtyre. Në fund thonë “boll më”. Janë vra sepse ishin UDB-ashë.

Ju kam thënë me kohë. Që nga fillimi, këta kanë agjendë luftën kundër Lidhjes Demokratike. Se durojnë si ide, se pranojnë si histori, frikësohen nga e ardhmja. Prandaj me aq zell tregojnë çfarë duhet të ndodhë në këtë shtëpi. Shikovca u themi ne. I bajmë në qafë. Tash e gjashtë vjet, ditë e natë.

Pres reagim të fortë nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Ofendimet ndaj vrasjeve politike lëndojnë kujtesën historike dhe cenojnë themelet e republikës. Familjet që tash e sa vjet presin të mësojnë kush ua vrau më të dashurit, sot dëgjojnë se përse ata e paskan merituar vrasjen. Ofenduesit nuk i edukojmë dot, por ky shtet ka institucione. Le të veprojnë”, ka shkruar Abixhiku.