Lajme

A mund të realizohet propozimi i Konjufcës për krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës të punës së Specialës, flasin njohësit e drejtësisë

06/28/2022 19:18
nga:Q R

Njohësit e organëve të drejtësisë kanë mendime të ndryshme rreth kërkesës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për krijimin e një mekanizmi për mbikqyrjen e punës së Gjykatës Speciales, shkruan GazetaBlic.

Sipas tyre, propozimi i Konjufcës nuk po del të jetë aq i thjeshtë për t’u realizuar.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, vlerëson se krijimi i një mekanizmi të jashtëm për mbikqyrjen e punës së Speciales, nuk mund të ndërtohet, pasi që sipas tij, një qasje e tillë mund të konsiderohet ndërhyrje në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës.

Miftaraj në një prononcim dhënë për GazetaBlic thotë se Ligji mbi Dhomat e Specializuara dhe Amendamenti kushtetues ka themeluar mekanizma që garantojnë proces gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm.

“Amendamenti kushtetues dhe Ligji mbi Dhomat e Specializuara ka themeluar dhe siguruar mekanizma që garantojnë proces gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, duke filluar nga dy shkallshmëria, mbrojtja e ligjshmërisë që bëhët brenda vet gjykatës dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut përmes Avokatit të Popullit dhe Gjykatës Kushtetuese. Këto mekanizma së paku në letër garantojnë proces gjyqësor të pavarur dhe paanshem. Sikurse në kulturën e shteteve demokratike që bazohen në vlerat e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, nuk mund të ndërtohen mekanizma të jashtëm që mbikëqyrin punën e gjykatës në aspektin profesional, pasi një qasje e tillë mund të konsiderohet ndërhyrje në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës”, deklaron ai.

Nga ana tjetër, avokati Skender Musa, vlerëson se ky mekanizëm mbikëqyrës mund të bëhet vetëm nëse ndryshohet dispozita e kushtetutës së Kosovës dhe ndonjë dispozitë e ligjit për dhomat e specializuara.

“Mekanizmi për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale mund të bëhet nëse ndryshohet dispozita e kushtetutës së Kosovës e cila nuk ka paraparë mekanizëm mbikëqyrës. Pastaj duhet të bëhet ndryshimi i ndonjë dispozite të ligjit për dhomat e specializuara dhe parashihet një institucion i ngjashëm me këshillin gjyqësor për gjykatën dhe një organ i ngjashëm me këshillim prokuroria të Kosovës për prokurët special, mbikëqyrja mund të bëhet vetëm profesionale dhe në asnjë formë politike”, deklaron ai.

Tutje Musa në një prononcim për GazetaBlic thotë se Gjykata Speciale është e vetmja në Evropë pa organ mbikëqyrës profesional.

“E vetmja Gjykata Speciale dhe prokurori special është në Evropë që s’ka organ mbikëqyrës profesional dhe që nuk raportojnë te një organ i pavarur për punën e tyre. Kjo gjykatë dhe kjo prokurori për shkak që s’kan organe mbikëqyrëse, i ka të gjitha mundësitë të veproj në mënyrë arbitrare dhe të shkel të drejtat e të akuzuarve”, thotë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca pas vizitës që ka pasur në Hagë te krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se nuk ka asnjë mekanizëm ndërkombëtar ose të Kosovës që kjo gjykatë i jep llogari për punën, shkeljet apo pretendime te mbrojtës për shkelje procedurash apo gjithçka tjetër.

Sipas tij, Gjykata Speciale gjithçka mund të jetë, vetëm e Kosovës jo.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  janë duke u akuzuar për krime lufte dhe po mbahen në paraburgim në Hagë.

/GazetaBlic

Konjufca pas kthimit nga Haga: Të gjithë janë mirë e të fortë, kurrkund në botë nuk ka një Gjykatë që s`i jep llogari askujt, gjithçka mund të jetë vetëm gjykatë e Kosovës JO