Lajme

Ukraina përgatitet për skenarë të rëndë në Kiev, Zelensky diskuton masat për përballimin e sulmeve ruse

11/27/2026 20:26
nga:Mergim Rreci

Autoritetet ukrainase po hartojnë plane konkrete për të garantuar funksionimin e kryeqytetit, edhe në rast se sulmet ruse shkaktojnë një përkeqësim të ndjeshëm të situatës.

Kjo çështje ishte në fokus të një mbledhjeje të Shtabit të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, ku mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

Lajmi u bë i ditur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në Facebook. Ai njoftoi se gjatë takimit u shqyrtuan raportet e ushtrisë, shërbimeve të inteligjencës dhe institucioneve shtetërore lidhur me gjendjen aktuale në kryeqytet, kërcënimet e mundshme dhe masat që mund të ndërmerren në rast emergjence.

Një nga vendimet kryesore të diskutuara ka të bëjë me hartimin e planeve të posaçme për funksionimin e transportit publik dhe organizimin e logjistikës në Kiev, në rast të intensifikimit të sulmeve ruse.

Sipas Zelenskyt, synimi është që qytetarët dhe bizneset të mund të vazhdojnë aktivitetin e tyre sa më normalisht të jetë e mundur, duke ruajtur qasjen në transport, punë dhe arsim, edhe në kushte të vështira.

Një tjetër masë që po shqyrtohet është krijimi i një mekanizmi për transport publik falas. Qeveria, në bashkëpunim me autoritetet lokale, po punon për të mundësuar përdorimin pa pagesë të disa linjave të autobusëve, në rast se shërbimet e tjera të transportit ndërpriten.

Gjatë mbledhjes u diskutua gjithashtu për forcimin e mbrojtjes së objekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe krijimin e alternativave rezervë, në mënyrë që qyteti të jetë i përgatitur për situata të paparashikuara. Presidenti ukrainas kërkoi që këto përgatitje të përshpejtohen dhe falënderoi të gjithë zyrtarët e përfshirë në këtë proces.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe strategjia e Ukrainës për kundërpërgjigjen ndaj sulmeve ruse në distanca të largëta. Zelensky bëri të ditur se me përfaqësuesit e inteligjencës, Ministrinë e Mbrojtjes, ushtrinë dhe Shërbimin e Sigurisë janë shqyrtuar ndryshime në planin operacional.

Sipas tij, objektivi i këtyre përshtatjeve është të pengohet më tej prodhimi ushtarak i Rusisë dhe të ngadalësohen disa prej proceseve të saj ekonomike.

Po ashtu, presidenti bëri të ditur se janë diskutuar masa të tjera koordinimi me partnerët ndërkombëtarë, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, për operacione të nevojshme në ujëra neutrale, jashtë territorit ukrainas.

Ndërkohë, në një intervistë të mëparshme për BBC-në, Zelensky kishte deklaruar se Moska synon të shkaktojë një situatë të tillë pasigurie, që banorët të detyrohen të largohen nga qytetet ukrainase, veçanërisht nga Kievi.

Megjithatë, kreu i shtetit theksoi se Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës do të bëjnë gjithçka për të garantuar sigurinë e kryeqytetit, duke nënvizuar rëndësinë e tij për vazhdimësinë e shtetit ukrainas.