Lajme

Kuvendi nuk e miraton rezolutën për mungesën e barnave onkologjike

11/26/2026 10:38
nga:L J

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Propozim-Rezolutën e dalë nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.

Në votimin e mbajtur gjatë vazhdimit të seancës plenare, 49 deputetë votuan kundër, ndërsa 26 votuan pro rezolutës.

Para votimit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu drejtua deputetëve me një thirrje për solidaritet në kuadër të fushatës “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Ajo bëri të ditur se në ulëset e deputetëve ishin vendosur shalle të portokalltë, duke theksuar se kjo ngjyrë është simbol i fushatës kundër dhunës në mbarë botën.

“Me këtë shall shprehim solidaritetin tonë”, tha Haxhiu.

Ajo gjithashtu rikujtoi se një natë më parë edhe ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte ndriçuar me ngjyrë të portokalltë, në shenjë mbështetjeje për këtë fushatë.

Në vazhdim të seancës plenare pritet të shqyrtohen edhe pikat e tjera të papërfunduara nga seancat e 12, 13 dhe 19 nëntorit.