Ndryshe nga Gjykata Kushtetuese, që vlerësonte se 15 shtojcat e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik të listuara në nenin 44 kanë “efekt thelbësor”, Gjykata Supreme nuk ka trajtuar një shtojcë të KQZ-së ku bëhet fjalë pikërisht për pagat e një institucioni, e që gjithashtu është pjesë e zbatimit të të njëjtit ligj.
Sipas informacioneve të Gazetës Blic, afërta me procesin, ajo çfarë ka bërë KQZ duke ndryshuar dhe plotësuar rregulloren për organizimin e brendshëm ka qenë pikërisht avancimi i 7 pozitave duke riklasifikuar klasën e pagës apo koeficientët në “Shtojcën I”. Shtojca fillestare e rregullores bazë, ku pozicionohen afërisht 100 pozita brenda këtij institucioni, ishte nxjerrë nga KQZ në vitin 2024 për të zbatuar pikërisht Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Të patrajtuar në mënyrë të barabartë me kolegët e tyre, zyrtarë të ndryshëm të KQZ-së që nuk janë përfshirë në këtë avancim janë ankuar në Gjykatën Supreme duke kërkuar që këto ndryshime të vlejnë edhe për pozitat që kanë përgjegjësi dhe detyra të nivelit të njejtë.
Megjithatë, Gjykata Supreme ka hedhur poshtë një padi të 23 zyrtarëve ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve. Ndonëse përmes shtojcave përcaktohen qartë pagat për secilin post në Republikën e Kosovës, në vendimin e saj Gjykata Supreme ka arsyetuar se shtojca e konstesuar nuk përmban norma juridike me fuqi detyruese, por norma të natyrës informuese.
“Si rrjedhojë, shtojca kontestuese, nuk përmban norma juridike me fuqi detyruese, por norma të natyrës informuese dhe orientuese për pozicionin/strukturën, klasën, grupin, klasën e pagës dhe numrin… Andaj, ky dokument nuk është akt me karakter normativ, pasi nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon norma juridike, për më tepër ai nuk prodhon efekte juridike për palët në mënyrë detyruese, andaj si i tillë, nuk mund të jetë objekt i padisë për shfuqizim si akt nënligjor”, ka theksuar Gjykata Supreme.
Çuditërisht, Gjykata Supreme ka aprovuar një padi tjetër të një zyrtari të vetëm që ishte ankuar në këtë institucion për të njejtën çështje.
GJYKATA KUSHTETUESE: EFEKTI THELBËSOR I LIGJIT NDËRLIDHET ME SHTOJCAT…
Por, për të dëshmuar se “shtojcat e pagave” nuk kanë vetëm karakter të natyrës informuese, mjafton të shikohet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO79/23 parashtrues Avokati i Popullit për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.
Gjykata Kushtetuese, në rastin e ngritur nga Avokati i Popullit, e kishte ngritur çështjen e Nenit 44 dhe shtojcave të ligjit në të gjithë dimensionin e tyre real dhe pasojave që ato kanë prodhuar.
“Gjykata sqaron që efekti thelbësor i Ligjit të kontestuar ndërlidhet me Shtojcat e Ligjit”, thuhet në pikën 266 të këtij aktgjykimi.

Më tej, Kushtetuesja ka konfirmuar se efekti thelbësor i ligjit lidhet pikërisht me këto shtojca, të cilat kategorizojnë zyrtarët dhe nëpunësit publikë, duke prekur drejtpërdrejt të drejtën në pronë dhe sigurinë juridike.
“Efekti i neneve 44 dhe 45 të Ligjit të kontestuar ka afektuar pjesën dërmuese të funksionarëve/zyrtarëve dhe nëpunësve civilë dhe publikë që bien në fushëveprimin e Ligjit të kontestuar. Të njëjtat kanë rezultuar në ngritje, përfshirë substanciale, pagash për disa sektorë, ndërsa në ulje, përfshirë substanciale, për të tjerët”, thuhet në pikën 313 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas të dhënave të analizuara nga vetë Kushtetuesja, përderisa disa pozita përfituan ngritje të larta (si kabineti qeveritar apo policia e lartë), sektorë të tjerë si sistemi gjyqësor, prokurorial, institucionet e pavarura dhe shërbimi i jashtëm pësuan ulje dramatike që shkuan deri në mbi 50-65%.
Sipas Aktgjykimit, Kushtetuesja, edhe përkundër efektit të këtyre shtojcave, nuk i kishte trajtuar dhe nuk i kishte shpallur në kundërshtim me Kushtetutën nenin 44 (Shtojcat) pasi që qëllimin e ligjit të konstestuar për të krijuar “një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik” e kishte vlerësuar si qëllim legjitim. Pra, Kushtetuesja kishte shmangur vlerësimin e secilës pozitë të secilës shtojcë për të shpallur të pavlefshme pozita të caktuara.

Por, në të njejtën pikë, Gjykata Kushtetuese kishte mbrojtur zyrtarët publik në Republikën e Kosovës nga ulja e pagave përmes këtyre shtojcave, duke siguruar shtesën tranzitore të përhershme, për aq kohë sa është e nevojshme.
“Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, “një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik” arrihet përmes paragrafit 1 të nenit 41 të Ligjit të kontestuar dhe sipas të cilit, nëse një zyrtar/e publik/e apo funksionar/e publik/e, para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitonte pagë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ajo/ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë”, thuhet në Aktgykim.
Kuvendi i Kosovës, sipas ligjit të miratuar kishte paraparë që shtesa tranzitore të mbetej vetëm një masë e përkohshme dyvjeçare me zbritje graduale, që do t’i linte përfundimisht zyrtarët me paga të ulëta pas kalimit të afatit, Kushtetuesja kishte shpallur të pavlefshme paragrafët kufizues të nenit 41, duke i dhënë garanci se mbrojtja e pagës dhe kompensimi i diferencës duhet të vazhdojnë për aq sa është e nevojshme, derisa të evitohet trajtimi i pabarabartë dhe shkelja e parimit të pritjeve të ligjshme.
Gazeta Blic ka raportuar se Gjykata Supreme duke e shpallur organogramin (shtojcën) e një rregulloreje si “dokument orientues pa fuqi detyruese” që nuk mund të kundërshtohet në gjykatë, krijohet një “zonë e re e lirë” për institucionet publike, ku ato mund të bëjnë ndryshime arbitrare pa frikën e kontrollit gjyqësor.
Praktikisht, sipas burimeve kjo do të thotë se një institucion mund të miratojë një rregullore bazë që në letër duket e rregullt, por të bëjë të gjitha ndryshimet reale të statusit, pozicioneve, klasave dhe pagave të zyrtarëve pikërisht përmes shtojcave dhe organorameve.
/GazetaBlic/


