Lajme

Absurditeti nga Gjykata Supreme/ Për të njëjtën çështje dhe rregullore të KQZ-së, njërën padi e aprovon tjetrën e refuzon: Hapet rruga për diskriminim të shërbyesve civilë

10/27/2026 19:49
nga:Gazeta Blic

Siguria juridike në Kosovë ka pësuar një goditje të rëndë nga vetë institucioni që do të duhej ta garantonte atë – Gjykata Supreme.

Në hapësirë prej vetëm një muaji, kjo gjykatë ka prodhuar një absurditet të paprecedentë juridik, duke dhënë dy vendime diametralisht të kundërta për sfida ligjore ndaj të njëjtit subjekt, të njëjtës rregullore dhe të njëjtit lloj dokumenti të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Dy aktgjykimet e Gjykatës Supreme lënë të hapur mundësinë që institucionet, përmes shtojcave – organogrameve në akte normative të brendshme, të bëjnë ndryshime me të cilat nuk grantohet trajtimi i barabartë dhe pa diskriminim i zyrtarëve të institucionit.

Episodi i parë u shënua më 17 shtator 2026. Në atë datë, Gjykata Supreme, në kolegjin e përbërë nga gjyqtarët Faton Ademi kryetar i kolegjit, Milena Djeric dhe Faton Bajrami anëtar të kolegjit, mori një vendim meritor duke aprovuar padinë e zyrtares N. M.

Ajo shfuqizoi hapur nenin 7 dhe pikën 5.2.3. të Shtojcës 1 të Rregullores së Brendshme të KQZ-së (Organogramin), ku ishte vendosur zyrtarja e ankuar, pasi konstatoi se KQZ kishte bërë trajtim të pabarabartë dhe diskriminim në dëm të paditëses.

Screenshot

Por, ky standard u përmbys në mënyrë spektakolare vetëm tridhjetë ditë më vonë, më 19 tetor 2026.

Kur 23 zyrtarë ekzekutivë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, të përfaqësuar nga avokati Faton Fetahu, iu drejtuan Gjykatës Supreme për të kërkuar mbrojtje nga e njëjta rregullore dhe i njëjti organogram i KQZ-së, një kolegj tjetër i Supremes të përbërë nga gjyqtarët Lumni Sallauka kryetar, Delushe Halimi dhe Faton Ademi anëtarë, vendosi ta hedhë poshtë padinë e tyre si të palejuar.

Për ta arsyetuar këtë kthesë, Gjykata Supreme lëshoi një konkluzion që sfidon çdo logjikë elementare juridike, duke u mbrojtur me argumentin se dokumenti, Shtojca 1 – Organogrami, nuk ka fuqi detyruese dhe nuk përbën akt normativ.

Më konkretisht, sipas Gjykatës Supreme “Shtojca e kontestuar” nuk përmban norma juridike me fuqi detyruese, por informuese, ndonëse edhe këta zyrtarë, si kolegia e tyre, janë pjesë e të njejtit organogram të Sekretariatit të KQZ-së, të vendosur në pikën “5.b.”, madje puna e tyre është që të organizojnë zgjedhjet në komunat e tyre.

“Si rrjedhojë, shtojca kontestuese, nuk përmban norma juridike me fuqi detyruese, por norma të natyrës informuese dhe orientuese për pozicionin/strukturën, klasën, grupin, klasën e pagës dhe numrin… Andaj, ky dokument nuk është akt me karakter normativ, pasi nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon norma juridike, për më tepër ai nuk prodhon efekte juridike për palët në mënyrë detyruese, andaj si i tillë, nuk mund të jetë objekt i padisë për shfuqizim si akt nënligjor”.

Duke u mbështetur në këtë, Gjykata Supreme ka hedhur poshtë si të palejuar padinë e zyrtarëve komunal të zgjedhjeve, të punësuar në KQZ.

“Pasi gjykata vlerësoj se akti i kontestuar nuk përmban elementet e nje akti nënligjor normativ, dhe si rrjedhojë nuk janë plotësuar kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për shqyrtim të mëtejmë të aktit të kontestuar nga paditësi pranë kësaj gjykate, përcaktohet nenin 38, paragraf 1 nën-paragraf 1.5 […] padia hidhet poshtë si e palejuar”.

Screenshot

Kjo qasje e Gjykatës Supreme, sipas burimeve hap një rrugë jashtëzakonisht të rrezikshme për funksionimin e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave të shërbyesve civilë.

Duke e shpallur organogramin (shtojcën) e një rregulloreje si “dokument orientues pa fuqi detyruese” që nuk mund të kundërshtohet në gjykatë, krijohet një “zonë e re e lirë” për institucionet publike, ku ato mund të bëjnë ndryshime arbitrare pa frikën e kontrollit gjyqësor.

Praktikisht, sipas burimeve kjo do të thotë se një institucion mund të miratojë një rregullore bazë që në letër duket e rregullt, por të bëjë të gjitha ndryshimet reale të statusit, pozicioneve, klasave dhe pagave të zyrtarëve pikërisht përmes shtojcave dhe organorameve.

Gjithashtu, një qasje e tillë krijon hapësirë për abuzim nga institucionet, më konkretisht nga menaxhmenti i një institucioni, i cili mund t’u ndryshojë fatin profesional dhjetëra apo qindra punonjësve përmes tabelave dhe shtojcave, ndërsa zyrtarët e dëmtuar mbeten plotësisht duarkryq, pa asnjë derë të hapur gjyqësore për të kërkuar drejtësi dhe për të sfiduar trajtimin e pabarabartë.

Në këtë mënyrë, shton burimi, parimi i ndalimit të diskriminimit dhe e drejta për trajtim të barabartë në punë mund të shkelen hapur dhe pa mundësi që ato të ndalohen.