Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka përkujtuar referendumin për pavarësinë e Kosovës, i cili u mbajt më 26–30 shtator 1991, duke e cilësuar atë si shprehje të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës për një shtet të pavarur dhe sovran.
Përmes një postimi, Rama ka thënë se referendumi u zhvillua në një prej periudhave më të vështira të historisë së Kosovës dhe përfaqësoi kërkesën e qytetarëve për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre.
Rama ka theksuar gjithashtu se referendumi i shtatorit 1991 i parapriu zgjedhjeve të para shumëpartiake të 24 majit 1992, raporton Gazeta Blic.
Në postimin e tij, kryetari i Prishtinës ka përmendur edhe rolin e Presidentit historik Ibrahim Rugova në periudhën kur, sipas tij, Kosova po ndërtonte institucionet e saj dhe po artikulonte para bashkësisë ndërkombëtare kërkesën për liri, pavarësi dhe demokraci.
“35 vjet më vonë, e kujtojmë këtë referendum jo vetëm si një datë të historisë, por si dëshmi se Republika e Kosovës u ndërtua mbi vullnetin, qëndresën dhe sakrificën e qytetarëve të saj”, ka shkruar Rama.
Ai e ka cilësuar kujtesën historike si përgjegjësi ndaj brezave që kontribuuan në ndërtimin e shtetit dhe ndaj brezave të ardhshëm.
Postimi:
NJË POPULL, NJË VULLNET 🇽🇰
Më 26–30 shtator 1991, qytetarët e Kosovës folën me votë, Kosova shtet i pavarur dhe sovran.
Në një prej periudhave më të vështira të historisë sonë, referendumi ishte shprehje e vullnetit politik të një populli që kërkonte të vendoste vetë për të ardhmen e tij.
Ai erdhi pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Kaçanikut të 7 Shtatorit 1990, duke forcuar institucionalisht projektin politik për Republikën e Kosovës.
Referendumi i shtatorit 1991 u bë më pas prelud i zgjedhjeve të para shumëpartiake të 24 majit 1992.
Ishte koha kur, nën udhëheqjen politike të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Kosova po ndërtonte institucionet dhe po artikulonte para botës kërkesën e saj për liri, pavarësi dhe demokraci.
Sot, 35 vjet më vonë, e kujtojmë këtë referendum jo vetëm si një datë të historisë, por si dëshmi se Republika e Kosovës u ndërtua mbi vullnetin, qëndresën dhe sakrificën e qytetarëve të saj.
Kujtesa historike është përgjegjësi ndaj brezave që e ndërtuan shtetin dhe ndaj brezave që do ta çojnë atë përpara.


