Lajme

Personi që humbi jetën në QKUK, ishte në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë

09/10/2026 10:29
nga:L J

Një i paraburgosur me inicialet K.K. ka vdekur mbrëmë në Klinikën e Emergjencës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve.

Sipas njoftimit, i paraburgosuri po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe gjatë ditës së djeshme kishte shfaqur çrregullime gastrointestinale dhe gjendje të theksuar molisjeje.

Ai ishte trajtuar gjatë ditës nga personeli shëndetësor i burgut, por gjendja e tij nuk kishte shënuar përmirësim.

Për shkak të nevojës për konsultim specialistik, mjeku kujdestar kishte kërkuar që K.K. të dërgohej për trajtim dhe vlerësim të mëtejmë. Fillimisht, ai ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, ndërsa rreth orës 18:00 ishte transferuar në QKUK.

Pas pranimit në QKUK, sipas autoriteteve, menjëherë kishin nisur procedurat diagnostikuese dhe trajtimi nga stafi mjekësor.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe trajtimit të ofruar, gjendja e tij shëndetësore nuk ishte përmirësuar. K.K. ka ndërruar jetë rreth orës 23:20.

Organet kompetente tashmë janë duke zhvilluar procedurat përkatëse ligjore, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë dhe verifikojë shkakun e vdekjes.