Lajme

Hamza pas mbledhjes së Kryesisë: Këto janë puro kalkulime politike të Kurtit në dëm të shtetit të Kosovës, në dëm të demokracisë

08/10/2026 18:42
nga:L J

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij është duke e trajtuar me seriozitet situatën politike në vend, pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, raporton Gazeta Blic.

Hamza tha se PDK-ja nuk ka pranuar ftesë për takim dhe se, sipas tij, qëndrimi i partisë është i qartë. Ai akuzoi se nuk po respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kosovës.

“Jo, s’kam pranuar ftesë, edhe për çka ftesë? Për çka me folë? Ne kemi bërë qëndrimin tonë të qartë, domethënë nuk ka qëndrim serioz, nuk ka qëndrim edhe nuk ka qëllim me i dhënë vendit institucione. Nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë, që kërkon që brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk jep emër, nuk e respekton Kushtetutën”, deklaroi Hamza.

Ai e cilësoi situatën si “më shumë se serioze”, duke thënë se PDK-ja është duke diskutuar për veprimet e ardhshme.

“Është situatë më shumë se serioze, nuk respektohet Kushtetuta e vendit, suspendohet akti më i lartë juridik, nuk respektohet demokracia. Futet vendi në një terren të panjohur në të kaluarën. Ne si Parti Demokratike e Kosovës jemi duke e diskutuar situatën, jemi duke i marrë veprimet e nevojshme. Veprimet do të jenë edhe ligjore, edhe kushtetuese, edhe demokratike në mbrojtje të rendit kushtetues dhe demokracisë në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Hamza kritikoi gjithashtu veprimet politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i cilësuar si “kalkulime politike” në dëm të shtetit dhe demokracisë.

“Kjo s’ka ndodhur asnjëherë, kjo s’është dashur me ndodhë as tash. Asnjë arsye nuk ka, asnjë pengesë nuk e ka që me bërë propozimin për kryetar të Kuvendit të Kosovës, mirëpo këto janë puro kalkulime të tij politike në dëm të shtetit të Kosovës, në dëm të demokracisë, në mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve”, u shpreh Hamza.

Në fund, ai foli edhe për reagimet e fundit politike lidhur me hedhjen e vezëve dhe sendeve të tjera gjatë zhvillimeve në Kuvend.

“Interesante është që këta kur gjuajnë me vezë, kur e gjuajnë me gurë, kur bëjnë ngjarje, janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës. Po në të njëjtën kohë kur këta i gjuan dikush me vezë, prapë janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës. Andaj, kjo është një situatë shumë serioze, jemi duke e trajtuar me seriozitetin më të madh”, tha Hamza.

Ai theksoi se PDK-ja do të veprojë, siç tha, në përputhje me interesat e Republikës së Kosovës.

“Ne jemi deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ne veprojmë në përputhje me interesat e Republikës së Kosovës. Ne jemi shumë të kujdesshëm, normalisht edhe të përgjegjshëm për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit kushtetues dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, përfundoi Hamza.