Lajme

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj 20 personave për krime lufte në Gjakovë, akuzohen për vrasjen e 107 civilëve

08/06/2026 15:45
nga:L J

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, kundër 20 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit M.K., R.Ç., M.D., P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A. akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në aktakuzë thuhet se gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme (PJP), si dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë si pjesëtarë të këtyre njësive, kanë marrë pjesë në një operacion të gjerë ushtarako-policor, raporton Gazeta Blic.

Sipas Prokurorisë, gjatë këtij operacioni të pandehurit akuzohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve.

Aktakuza përshkruan se gjatë operacionit, gratë dhe fëmijët fillimisht janë ndarë nga burrat. Gratë, sipas Prokurorisë, janë plaçkitur duke u marrë stolitë e arit, paratë dhe sende të tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar, disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, e disa në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. Gjithashtu, sipas aktakuzës, shtëpitë janë djegur.

Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi ndaj të pandehurve të mbahet në mungesë.