Lajme

Ehat Miftaraj: Kurti është konsistent vetëm në shkeljen e Kushtetutës dhe delegjitimimin e institucioneve

08/06/2026 14:22
nga:L J

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke adresuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një postimi në Facebook, Miftaraj tha se Kurti është “konsistent vetëm në dy gjëra”, duke përmendur, sipas tij, shkeljen e Kushtetutës sa herë që i jepet mundësia dhe delegjitimimin e institucioneve kushtetuese, raporton Gazeta Blic.

Ai vlerësoi se me zhvillimet e sotme ka nisur shkelja e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me konstituimin e Kuvendit, nëse ky proces nuk përfundon brenda afatit të përcaktuar.

Miftaraj pretendon gjithashtu se me betimin e deputetëve është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Supreme, i cili, sipas tij, sanksionon si vepër penale ushtrimin njëkohësisht të funksionit të deputetit dhe ministrit në detyrë.

Në reagimin e tij, ai akuzoi edhe Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale, duke pretenduar se këto institucione janë nënshtruar nga pushteti dhe nuk po veprojnë për zbatimin e ligjit dhe të vendimeve gjyqësore.

Në fund, Miftaraj iu drejtua edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke pyetur nëse në bisedimet e mundshme për një koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje do të hapë çështjet që lidhen me demokracinë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, apo nëse, sipas tij, synimi do të jetë vetëm ndarja e pushtetit.

Ai përfundoi duke thënë se, sipas tij, do të ketë shkelje të tjera të Kushtetutës dhe ligjit “sepse kështu po do Albin Kurti dhe VV”.