Lajme

Burjani: Nëse nuk kemi një qeverisje gjithpërfshirëse sërish ekziston rreziku që vendi të shkojë në zgjedhje!

08/01/2026 10:41
nga:Y I

Njohësi i çështjeve juridike në vend, njëkohësisht ish-anëtar i KQZ-së, Blerim Burjani, në një intervistë dhënë për dokumentarin “Expose” ka deklaruar se subjektet politike do të duhej të merreshin vesh paraprakisht për çështjen e Presidentit me një koalicion gjithpërfshirës.

Burjani potencoi se nëse nuk kemi një qeverisje gjithpërfshirëse sërish ekziston rreziku që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Tani procesi është ky që po e shihni edhe procedurat janë të qarta, duhet sa më parë të përfundojë konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë dhe vjen radha e Presidentit. Mirëpo më e mira do të ishte që për Presidentin të merren vesh paraprakisht me një koalicion gjithëpërfshirës i cili mund të përfundojë punën pa probleme dhe mundet me garantu qeverisjen katër-vjeçare. Në të kundërtën nëse nuk kemi një qeverisje gjithpërfshirëse kjo i bjen që s’do të ketë sukses dhe sërish rreziku është me shku në zgjedhje. Pra nuk ka asnjë lloj sigurie shteti as në aspektin juridik as në kuptimin e funksionimit të rendit dhe ligjit, as në kuptimin e asaj me ndërtu raporte regjionale të mira dhe fqinjësore me fqinjët natyrisht edhe në integrimet e vropiane” deklaroi Burjani.

Ai tha se do të ishte mirë të kishte një marrëveshje të garantuar mes subjekteve politike që nuk dështon zgjedhja e Presidentit.

“Na kemi nevojë për një shtet funksional, të aftë, i cili funksionon dhe hyn në marrëdhënie ndërkombëtare i cili krijon raporte të mira dhe krijon raporte të tjera të cilat shkojnë nga marrëveshjet e ndryshme ndërkombëtare të cilat lidhen me ekonominë ose me integrimet evropiane edhe më tutje. Nëse vonohet ky proces atëherë s’kemi më çfarë të presim këtu…është mirë, kam thënë edhe më herët që duhet me u garantu paraprakisht një koalicion për me mujt me shku në zgjedhjen e Presidentit të shtetit.Po shoh që s’ka kurrfarë gadishmërie, LDK-ja ka problemet e veta të brendshme dhe nuk e ka momentin fare me u marr me këtë temë. Ata po presin se do të ketë zgjedhje gjithsesi për këtë arsye po shkojnë me ba një Kuvend të Jashtëzakonshëm dhe pastaj të ecet më tutje me ndonjë mundësi për marrëveshje. Ka kohë për marrëveshje, jemi në afatet kushtetuese edhe pse ora kushtetuese po rrjedh, jemi prap në afate. Ishte dashtë deri me 7 gusht me konstitu Kuvendin pastaj me propozu Kryeminstrin dhe pastaj me shku deri tek zgjedhja e Presidentit. Por do të ishte shumë më mirë me pas një marrëveshje të garantume mes subjekteve politike që nuk dështon sërish zgjedhje e Presidentit. Në të kundërtën dihet që në këtë pasiguri kaq të madhe dhe në këtë konfuzitet të madh që ndodhet në kuptim politik dhe politika që e bën këtë punë nuk jep shpresa të mëdha që me gjet një zgjidhje për Presidentin dhe dyshimi dhe rreziku është me shku sërish në një pal zgjedhje të reja pashmangshëm do ta ulin elektoratin shumë në Kosovë. Nëse vazhdon kështu ne kemi nevojë për një riorganizim politik dhe partiak tjetër, në këtë mënyrë më nuk ishte dashur më fare me shku sepse veç dëme po na bën” deklaroi Burjani për dokumenatrin “Expose” raporton “Gazeta Blic”.

VIDEO: