Lajme

Keqklasifikim i mbi 10 milionë eurove në MPB, ZKA evidenton një sërë shkeljesh financiare

06/29/2026 17:32
nga:L J

Keqklasifikimi i mbi 10 milionë eurove në shpenzime, pagesa të shtesave për policë të suspenduar, kompensimi i tyre përtej afatit të lejuar ligjor dhe një varg mangësish në procedurat e prokurimit publik, janë disa nga gjetjet kryesore të Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga auditori lidhet me mënyrën e regjistrimit të shpenzimeve për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në favor të zyrtarëve policorë.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 thesari ka ekzekutuar pagesa direkte në vlerë prej 12.56 milionë eurosh, kryesisht për paga të policëve pas vendimeve gjyqësore, por ato janë regjistruar në kategori ekonomike jo adekuate.

Prej tyre, mbi 10 milionë euro janë paguar nga kategoria e investimeve kapitale, ndërsa pjesa tjetër nga mallrat dhe shërbimet dhe subvencionet e transferet.
Auditori vlerëson se pagesat për borxhin kryesor është dashur të realizoheshin nga kategoria e pagave, ndërsa shpenzimet për përmbarim dhe interes nga mallrat dhe shërbimet.

Sipas ZKA-së, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mosplanifikimit të mjeteve buxhetore për këto obligime dhe mospagesës së tyre në kohë, çka kishte bërë që zyrtarët policorë t’u drejtoheshin gjykatave dhe përmbaruesve.

Raporti potencoi se klasifikimi i gabuar i shpenzimeve shtrembëron pasqyrat financiare dhe mund të ndikojë në vendimmarrjen e menaxhmentit.

Një tjetër gjetje lidhet me pagesën e shtesave për kushte specifike të punës për zyrtarët e suspenduar.

Megjithëse Policia e Kosovës kishte ndërprerë këto pagesa pas rekomandimeve të auditimit të vitit paraprak, ZKA ka konstatuar se 19 zyrtarë të suspenduar vazhduan të përfitonin shtesën edhe pas muajit korrik, ndonëse nuk ushtronin më detyrën dhe nuk ishin të ekspozuar ndaj rrezikshmërisë.

Vlera e këtyre pagesave arrin në 2 mijë e 620 euro.

Po ashtu, auditori ka evidentuar se 58 zyrtarë policorë të suspenduar kanë vazhduar të kompensohen me 50 për qind të pagës edhe pas afatit maksimal gjashtëmujor të paraparë me Udhëzimin Administrativ.

Në disa raste, sipas raportit, zyrtarët vazhdojnë të jenë të suspenduar që nga viti 2022, ndërsa MPB nuk ka ndërmarrë masa për zgjidhjen e statusit të tyre.

ZKA-ja ka identifikuar një sërë parregullsish në MPB, të cilat, sipas raportit të auditimit, kanë ndikuar në rritjen e kostove buxhetore, dobësimin e kontrollit financiar dhe mospërputhje në proceset e prokurimit publik dhe menaxhimit të pasurisë.

Sipas raportit, paqartësitë në udhëzimin administrativ që rregullon rastet kur procedurat penale zgjasin më shumë se gjashtë muaj kanë krijuar kosto shtesë për buxhetin e Policisë së Kosovës.

Auditorët kanë evidentuar gjithashtu se detyrimet kontingjente të ministrisë janë mbivlerësuar për 2.73 milionë euro. Kjo, sipas ZKA-së, ka ndodhur si pasojë e gabimeve në regjistrim dhe moslargimit nga evidenca të rasteve gjyqësore që tashmë kishin marrë vendim përfundimtar.

Në fushën e prokurimit publik janë konstatuar disa shkelje. Njëra prej tyre lidhet me pranimin e një automjeti në vlerë prej 89 mijë e 900 eurosh, i cili nuk përmbushte specifikimet teknike të kontratës. Automjeti ishte prodhuar në vitin 2023, ndonëse tenderi kërkonte model të vitit 2024, si dhe kishte karakteristika teknike që nuk përputheshin me kërkesat e kontratës.

Raporti evidenton edhe mangësi në menaxhimin e kontratave, përfshirë mosaplikimin e penaliteteve ndaj operatorëve ekonomikë për vonesat në furnizim, mosformalizimin e ndryshimeve të afateve kontraktuale, si dhe mospublikimin e njoftimeve paraprake për kontrata me vlerë mbi 500 mijë euro.

Një tjetër gjetje lidhet me menaxhimin e pasurisë, ku komisioni për pranimin e pasurisë jo financiare ishte themeluar rreth tre muaj me vonesë. Sipas auditorit, kjo ka rritur rrezikun që pasuria të pranohej dhe të vihej në përdorim pa u verifikuar dhe regjistruar në përputhje me procedurat ligjore.

Për shumicën e gjetjeve të paraqitura në raport, Ministria e Punëve të Brendshme është pajtuar me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe është zotuar se do të ndërmarrë masa korrigjuese për adresimin e tyre.