Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht pranimi i mbeturinave nga qytetarët në katër deponitë sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).
Siç ka thënë ajo, qytetarët tashmë mund t’i dërgojnë mbeturinat në deponitë sanitare të Mirashit, Landovicës, Velekincës dhe Dumnicës, duke pasur në dispozicion një hapësirë të ligjshme dhe të sigurt për depozitimin e tyre.
Postimi:
NIS ZYRTARISHT PRANIMI I MBETURINAVE NGA QYTETARËT NË KATËR DEPONI SANITARE TË KMDK-SË
Sot ka nisur zyrtarisht pranimi i mbeturinave nga qytetarët në deponitë sanitare të KMDK-së në Mirash, Landovicë, Velekincë dhe Dumnicë.
Tashmë qytetarët kanë një vend të ligjshëm dhe të sigurt për t’i deponuar mbeturinat.
Çdo të shtunë, nga ora 08:00 deri në 16:00, në këto katër deponi pranohen mbeturinat nga qytetarët, prandaj nuk ka më arsye apo justifikim që ato të hidhen në natyrë ose në deponi ilegale.
Të gjithë kemi për detyrë që ambientin ta ruajmë e Kosovën tonë ta bëjmë te pastër e të gjelbër.


