Ferat Shala ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbetet i vetmi mekanizëm për të zhbllokuar situatën aktuale politike në vend, të cilën ai e cilëson si një ngërç të krijuar nga mazhoranca dhe kryeministri Kurti, raporton GazetaBlic.
Shala në një intervistë për GazetaBlic, tha se edhe pse qeveria kishte shumicën absolute, ajo nuk arriti të krijojë institucionet e nevojshme, duke e thelluar krizën institucionale dhe se vendi mbetet në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, i cili do të hapte rrugën për zgjedhje të reja parlamentare.
“Ne jemi duke e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është i vetmi organ Kushtetues i cili e zhbllokon këtë situatë ngërqi të krijuar nga mazhoranca, nga kryeminstri aktual, i cili kishte shumicën absolute dhe nuk krijoi institucionet. Tani kemi mundësinë e vetme të presim vendimin e Gjykatës dhe të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në shërbim të zhbllokimit, të krijmit të institcuioneve, të stabilitetit politik, ekonomik të insticioneve të shtetit”, tha ai.
Ndërkohë, Shala bëri të ditur se Partia Demokratike e Kosovës është në mobilizim të plotë organizativ, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, me synimin për të përmirësuar rezultatin në zgjedhjet e ardhshme.
“Gjithësesei, jemi në mobilizim dhe në organizim maksimal me të gjitha nivelet organizative të Partisë Demokratike të Kosovës, nga nivelet qendër dhe nivelet lokale dhe do të ndryshojmë pozitivisht rezultatin e ardhshëm zgjedhor”, përfundoi Shala për GazetaBlic.


