Lajme

Komandanti i KFOR-it thotë se deri tani në vijën kufitare Kosovë-Serbi s’ka pasur incidente serioze që kërcënojnë stabilitetin rajonal

02/04/2026 12:17
nga:Sh R

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka thënë se situata në Veri të Kosovës është e qetë por me potencial për ndonjë eskalim.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por në të njëjtën kohë e brishtë, me potencialin për shpërthimin e tensioneve të reja”, ka thënë Ulutas për Kosovo Online.

Sa i përket situatës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, Ulutas ka thënë se deri tani s’ka pasur ndonjë ndryshim të situatës së sigurisë apo incident serioz që rrezikon stabilitetin e rajonit.

“Deri më tani, KFOR-i nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim domethënës në situatën e sigurisë apo incidente serioze në zonë që mund të kërcënojnë stabilitetin rajonal. Ne mbetemi vigjilentë dhe mbajmë një prani të dukshme për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet lokale. KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën përgjatë Vijës Administrative, duke përfshirë patrullime të rregullta në anën e Kosovës ”, ka thënë Ulutas.

Ai gjithashtu ka përmendur bashkëpunimin e KFOR-it me ushtrinë serbe dhe komunikimin që mbajnë me gjeneralin Milan Mojsilovic.

“E gjithë kjo kontribuon në një ndërgjegjësim më të mirë të situatës, forcimin e transparencës dhe besimit të ndërsjellë, si dhe uljen e rrezikut të incidenteve ose keqkuptimeve”, ka thënë ai.