Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka reaguar pasi janë bërë publike komunikimet me e-mail mes tij dhe Jeffrey Epsteinit.
Në një mesazh, Musku shprehet se pas një viti të lodhshëm pune dëshironte të frekuentonte vendin e festave në St. Barth ose destinacione të ngjashme, duke theksuar se një përvojë e qetë në ishull nuk ishte ajo që kërkonte.
Epsteini i sugjeron që të takohen në St. Barth, duke shtuar se “raporti” i njerëzve në ishullin e tij mund ta bënte Talulahn (atëbotë bashkëshkorten e Muskut) të mos ndihej rehat, koment të cilit Musk i përgjigjet se kjo nuk do të ishte problem.
Pas publikimit të dokumenteve, Elon Musk reagoi në platformën X, duke deklaruar se kishte pasur shumë pak korrespondencë me Epsteinin dhe se kishte refuzuar disa herë ftesat për të vizituar ishullin e tij ose për të fluturuar me avionin e njohur si “Lolita Express”.
“Asnjë nuk ka këmbëngulur më shumë se unë për publikimin e dosjeve të Epsteinit dhe jam i kënaqur që kjo më në fund ndodhi”, ka shkruar Musku në X.
“Kam pasur shumë pak korrespondencë me Epstein-in dhe kam refuzuar ftesa të përsëritura për të shkuar në ishullin e tij ose për të fluturuar me ‘Lolita Express’, por isha i vetëdijshëm që disa email-e me të mund të keqinterpretohen dhe të përdoren nga kundërshtarët për të njollosur emrin tim”.
“Kjo nuk më shqetëson, por ajo që më shqetëson është që të paktën të përpiqemi të ndjekim penalisht ata që kanë kryer krime serioze me Epsteinin, veçanërisht në lidhje me shfrytëzimin e tmerrshëm të vajzave nën moshë”.


