Lajme

Bislimi: Ndjej keqardhje për disfatën elektorale të LDK-së, hera e parë që s’doli e para në asnjë komunë, nevojitet rindërtim i partisë

12/29/2025 13:05
nga:Genita C

Ish-deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, ka shprehur keqardhje për rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit, ku LDK shënoi rënie të theksuar, raporton GazetaBlic.

Ai për GazetaBlic vlerësoi se disfata është pasojë e orientimit të gabuar të lidershipit aktual dhe bëri thirrje për rindërtimin e partisë mbi vlerat themeltare dhe idealet e Presidentit Ibrahim Rugova.

Bislimi theksoi nevojën për unitet, garë të brendshme dhe rikthim te koncepti i konventës zgjedhore të nëntorit 2023, duke shtuar se LDK për herë të parë nuk doli fituese në asnjë komunë.

Ai u shpreh se mbetet i përkushtuar ndaj një LDK-je gjithëpërfshirëse, në shërbim të anëtarësisë dhe qytetarëve.

Përgjigja e plotë:

Ndjej keqardhje për disfatën elektorale të LDK. Vlerësoj se është koha për të rindërtuar LDK-në që unë gjithëherë e kam kerkuar — atë vlerave themeltare e idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova. Mbi këtë tezë ka qenë i ndërtuar programi im në konvetën zgjedhore të LDK në Nëntor 2023, kur ky lidership iu nënshtrua diktatit të Kryetarit dhe nuk lejoi garën. Mbetem i përkushtuar për slloganin Unitet në Dallime! Një LDK për të cilën unë kam qëndruar i duhet Kosovës–dhe per atë qëndroj edhe sot.

Tani, është në dorën e partisë të vlerësoj nëse duhet rikthyer tek LDK që unë e dua, sepse aty besoj e gjejnë vetën të gjithë ata që u ndjenë të lënë anash e të papërfaqësuar. Kjo disfatë flet më shumë për orientimin e deshtuar të lidershipit aktual sesa për mungesën e përkrahjes nga elektorati. Është hera e parë fatkeqesisht që LDK nuk doli prijetare në asnjë komunë.

Tani, vlerësoj se duhet të rikthehemi tek rasti i humbur i konventës zgjedhore të Nëntorit 2023 në aspekt konceptual për të mirën e LDK dhe të Kosovës. Edhepse isha i vetëm, unë nuk u dorëzova, ofrova gjithëçka nga vetja dhe besoj se nuk ishte pak, përkundër përbuzjes, përçmimit e injorimit nga lidershipi aktual — unë mbetem dora e ngritur lart para këtij lidershipi që përbuzi krejt kontributin dhe mundësinë që ofroja!

Porosia ime për njerzit e mirë të LDK mbetet po e njejta: ne jemi këtu, për LDK e aktivistëve dhe dashamirëve e jo atë të titullarëve e funksionarëve; dora ime qëndron krenare e ngritur lart si simbol i mosdorëzimit dhe durimit në dritëhijet e demorkacisë!

/GazetaBlic/