Lajme

Mulaj: Nesër është dita kur me votën tuaj mund t’i japim fund bllokadave – Jemi të vendosur të jemi zëri juaj i munguar në Kuvendin e Kosovës

12/27/2025 12:25
nga:Sh R

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Dr. Sci, Besim Mulaj, ka ftuar qytetarët që të mobilizohen të gjithë dhe të dalin masivisht të votojnë më 28 dhjetor, që të bëjnë LDK-në fiturese, për Istogun, Kosovën dhe për brezat që vijnë, raporton GazetaBlic.

Mulaj thotë se nëser është dita kur fjala e qytetarit bëhet vendim.

Ai shton se Kosovës i duhet një qeveri që nuk e mbyll vendin në vetvete por e hap drejt miqëve tanë perëndimorë.

Postimi i plotë:

Te dashur Istogas,

Nga zemra ju uroj shëndet juve dhe familjeve tuaja. Ju që jetoni në Istog, anembanë Kosovës dhe në diasporë, jeni forca jonë më e madhe. Jeni krenaria jonë, sepse me djersën, sakrificën dhe punën tuaj të ndershme mbani gjallë familjet dhe shpresën për një Kosovë më të mirë.

Nesër është dita kur fjala e qytetarit bëhet vendim. Nesër është dita kur me votën tuaj mund t’i japim fund bllokadave, izolimit dhe përçarjes. Kosovës i duhet një qeveri që nuk e mbyll vendin në vetvete, por e hap drejt miqve tanë perëndimorë. I duhet një qeveri që nuk lë premtime të harruara, por i përfundon projektet e nisura e të lëna përgjysmë për pesë vite. I duhet një qeveri që e vendos shëndetësinë dhe arsimin në zemër të politikave të saj, që e forcon sundimin e ligjit dhe që nuk i sheh bizneset si armik, por si partner për zhvillim.

Unë, dr. sci. Besim Mulaj, dr. Serbeze Kabashi -Muçaj dhe Shkëmb Manaj jemi të vendosur të jemi zëri juaj i munguar në Kuvendin e Kosovës. Zëri i halleve tuaja, i shpresave tuaja dhe i ëndrrave për një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë.

Prandaj, me gjithë besimin dhe përgjegjësinë, ju ftoj të mobilizohemi të gjithë, të dalim masivisht dhe më 28 dhjetor ta bëjmë LDK-në fituese, për Istogun, për Kosovën dhe për brezat që vijnë.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

#besimmulaj79 #LumirAbdixhiku1 #Ldk123