Lajme

Lidhja e Bizneseve të Kosovës: Sektori minerar po rrezikohet – kërkojmë veprim të menjëhershëm nga KPMM dhe institucionet

11/26/2025 10:35
nga:G B

Lidhja e Bizneseve dhe Shoqata e Prodhuesve të zhavorit dhe betonit: Sektori minerar po fundoset nga bllokadat institucionale – kompanitë vendore drejt mbylljes, ndërsa tregu mbushet me zhavorr nga Serbia

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), së bashku me Shoqatën e Gurthyesve të Kosovës, u pritën sot në një takim të rëndësishëm nga Kryesuesi i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), z. Habib Basholli. Qëllimi i takimit ishte adresimi urgjent i bllokadave dhe pengesave që po e çojnë sektorin minerar drejt paralizës dhe kompanitë vendore drejt krizës së rëndë financiare.

Delegacioni i LBK-së udhëhiqej nga Kryetari, z. Besart Dreshaj, i shoqëruar nga koordinatori i Shoqatës së Gurthyesve, z. Gezon Berisha, sekretari i Lidhjes, z. Brahim Selimaj nga Elsa Group, si dhe z. Faton Nuredini nga kompania Toni Compani.

Sektori minerar në prag të kolapsit – bizneset në rrezik real

Gjatë takimit u theksua se situata në sektorin minerar është bërë tejet e paqëndrueshme për shkak të:

Procedurave të gjata dhe të paqarta të licencimit;

Pezullimeve administrative që zgjasin me muaj;

Vendimeve të menjëhershme dhe pa analizë, që bllokojnë aktivitetet;

Ndikimit të ligjit të ri për pronën, që ka krijuar ngërçe serioze;

Mosvazhdimit të licencave për kompani që kanë bërë investime milionëshe;

Humbjes së punëtorëve profesionalë dhe rrezikimit të falimentimit.

LBK: Dëmet janë të mëdha – vonesat institucionale po e fundosin sektorin

Kryetari i LBK-së, z. Besart Dreshaj, theksoi se pengesat institucionale dhe mungesa e efikasitetit po sjellin pasoja të rënda:

Klima e të bërit biznes është rënduar ndjeshëm për industrinë minerare, të zhavorrit dhe betonit;

Kompanitë po përballen me obligime të mëdha financiare dhe kredi të pashlyera;

Bllokadat administrative po u kushtojnë biznesëve qindra mijëra euro humbje;

Çdo ditë vonesë nënkupton rrezikim të vendeve të punës dhe të gjithë zinxhirit të furnizimit.

“Institucionet duhet të krijojnë kushte për zhvillim, jo pengesa.”, deklaroi Dreshaj.

Pikat që z. Gezon Berisha-si kordinator, ngriti në emër të Shoqatës së Gurthyesve

Z. Gezon Berisha paraqiti tetë kërkesa kritike dhe urgjente që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme:

Ndikimi negativ i ligjit të ri për pronën dhe prodhimi i bllokimeve të reja procedurale;

Pasiguria juridike që i pamundëson kompanitë të planifikojnë dhe investojnë;

Mosvazhdimi i licencave edhe kur kompanitë i plotësojnë kushtet;

Humbja e fuqisë punëtore të specializuar për shkak të ndërprerjes së punës;

Rritja e rrezikut të falimentimit të kompanive nga obligimet financiare;

Kërkesa për lejimin e ankesave në shkallën e dytë brenda KPMM-së, sepse dërgimi i menjëhershëm në gjykatë i dëmton bizneset dhe zgjat proceset me vite;

Rikthimi i mundësisë së pagesave me këste, për shkak të gjendjes së vështirë financiare të kompanive;

Heqja e kërkesave të panevojshme, si pëlqimet nga komunat, që po krijojnë barriera të panevojshme.

Z. Brahim Selimaj kërkoi trajtim me prioritet të këtyre problemeve, duke theksuar se:

“Nuk ka kuptim që bizneset të falimentojnë për shkak të problemeve administrative dhe përzierjes së kompetencave. Pasojat po i paguajnë vetëm bizneset.”

Z. Faton Nuredini shtoi se shumë kompani tashmë kanë ndërprerë punën për shkak të mosvazhdimit të licencave, duke rrezikuar gjithë zinxhirin industrial.

KPMM: Premtim për dinamizim të proceseve dhe heqje të barrierave

Kryesuesi i Bordit të KPMM-së, z. Habib Basholli, siguroi se institucioni është duke punuar me intensitet të shtuar për:

Trajtimin e aplikacioneve të grumbulluara;

Eliminimin e procedurave të panevojshme;

Vendosjen e standardeve më efikase të funksionimit;

Rritjen e transparencës dhe komunikimit me bizneset.

Ai deklaroi:

Disa nga pikat e ngritura do t’i adresojmë në mbledhjen e ardhshme të bordit. Synimi ynë është që të eliminojmë pengesat dhe t’i lehtësojmë proceset për biznese.

Hapi i radhës: takim i gjerë ndërinstitucional

U pajtua organizimi i një takimi të përbashkët ndërinstitucional me:

Lidhjen e Bizneseve të Kosovës;

KPMM-në;

Ministrinë e Ambientit dhe Infrastrukturës;

Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;

Agjencinë e Pyjeve të Kosovës;

me synim gjetjen e zgjidhjeve afatgjata dhe heqjen e bllokadave që po dëmtojnë sektorin minerar.

LBK: Bizneset do të mbrohen me çdo mjet demokratik

Në përmbyllje, z. Dreshaj theksoi:

“Nuk kërkojmë privilegje, por drejtësi. Nëse kërkesat legjitime të bizneseve nuk trajtohen, do të përdorim çdo mjet demokratik për të mbrojtur interesin e tyre. Bizneset janë gjaku i ekonomisë – dhe do të mbrohen.