Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka mandatuar emrin e dytë të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca për Kryeministër.
Nga partitë opozitare u tha se i njëjti nuk mund të mandatohet nëse s’ka një garanci të shkruar me 61 nënshkrime të deputetëve që e votojnë kryeministrin.
Por e para e shtetit, Osmani, deklaroi se sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i jepet mandati të propozuarit të dytë dhe nëse ai nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Osmani deklaroi se VV dhe Konjufca kanë besim të plotë se mund t’i arrijnë 61 vota, teksa tha se edhe ajo është bindur se i kanë gjasat për formimin e Qeverisë.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe z.Konjufca me të cilin sapo e përfundova takimin, kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre, ju takon atyre ti bëjnë votat, mua më takon të bindem se kanë gjasa. Mua më kanë bindur që kanë gjasa, ashtu siç kërkohet nga aktgjykimi i Kushtetuetes”, tha Osmani raporton “Gazeta Blic”.
Por a mund të mandatohet emri i dytë për Kryeministër nëse s’ka garancë me shkrim që i ka 61 nënshkrime të deputetëve?
Vullnet Bugaqku nga KDI tha për “Gazeta Blic” se Presidentja Osmani mundet t’a mandatojë, emrin e dytë në kete rast Glauk Konjufcën edhe pa i patur 61 nënshkrime.
Bugaqku tha se veprimi i djeshëm i Presidentes ishte në linjë me kërkesat e Kushtetutës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese sepse të njëjtat kërkojnë domosdo të ndjeken të gjitha mundësitë.
“Po ka te drejtë Presidentja Osmani të mandatojë edhe emrin e dytë pa patur nënshkrimet e deputetëve. Kushtetuta e Kosovës në nenin 95 shpjegon qartë procedurat e formimit të qeverisë qoftë në raundin e parë dhe të dytë. Në rastin e tanishëm, Presidentja ka vlerësuar gjendjen sipas paragrafit 4 të nenit 95 dhe ka caktuar një mandatar për formimin e qeverisë pas dështimit të mandatarit të parë.
“Rjedhimisht, edhe aktgjykimet e Gjykates Kushtetuese vlerësojnë qartë faktin që në rast të dështimit të mandatarit të parë që të formojë qeveri në Kuvend, atëherë Presidenti/ja ka diskrecion që brenda 10 ditësh të vendos për caktimin e një mandatari tjetër i cili mund të ketë gjasat më të mëdha për formimin e qeverisë.Prandaj, konsideroj që veprimi i djeshëm i Presidentës ishte në linjë me kërkesat e Kushtetutës dhe vendimet e gjykatës kushtetuese sepse të njëjtat kërkojnë domosdo të ndjeken të gjitha mundësitë, procedurat që të formohet një qeveri dhe të shmanget zgjedhjet” deklaroi Bugaqku në pergjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/
Osmani: Sapo u takova me Konjufcën, ka besim të plotë se mund të arrijë votat e nevojshme


