Lajme

Katër prej pesë të lënduarve në gjendje të rëndë, KQZ del me njoftim për aksidentin ku u përfshinë zyrtarë të saj

10/18/2025 13:23
nga:Sh R

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për aksidentin e së premtes në Ferizaj ku pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve kanë pësuar një aksident trafiku, derisa ishin të angazhuar në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare në kuadër të procesit zgjedhor.

“Sipas informacioneve të para, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë dhe aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për detaje të mëtejshme lidhur me gjendjen e tyre, rekomandojmë të kontaktohen institucionet shëndetësore përkatëse”, tha KQZ.

“Pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt, i cili u mbajt më 12 tetor në të gjithë vendin. Në këto momente të vështira, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh shqetësimin e thellë për këtë ngjarje dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre”.

Për këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës më herët.

Ajo tha se aksidenti ndodhi në fshatin Slivovë të Ferizajt ku ishin të përfshira dy automjete, një veturë dhe një autobus me targa vendore.

“Veç dëmeve materiale, lëndime trupore pësojnë shoferi i veturës dhe katër pasagjerët, te cilët pas tretmanit mjekësor në emergjencën e Ferizajt, katër persona dërgohen ne Q.K.U.K-Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Për këtë aksident është njoftuar edhe prokurori kujdestar”, tha policia.