Lajme

Synon fitoren e Prishtinës/ Bekë Berisha: Jam njeri i fjalës, nuk jam pekmez, s’bëj premtime fantastiko-shkencore

09/17/2025 18:00
nga:G B

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka thënë se është njeri i fjalës dhe e realizon atë që premton.

“Jam njeri praktik, i fjalës, nuk jam pekmez, por jam njeri i punës, atë që e premtoj e bëj, d.m.th Beka e bon”, tha ai në një intervistë për Gazeta Blic.

Ai nuk pati komente për kundërkandidatët, teksa tha se tani po merret direkt me punë.

“Nuk kam komente më për ta, unë e kam treguar formën si janë afruar, çfarë kanë premtuar, çka kanë arritur të bëjnë, i kam dhënë këto shpjegime, tash merrem direkt me punë edhe me zgjidhjen e problemeve”, u shpreh Berisha.

Kandidati për të parin e kryeqytetit thotë se prishtinasit do të kenë kryetar të vërtetë dhe që nuk bën premtime fantastiko-shkencore.

“Do ta kenë një kryetar të vërtetë që ka zgjidhje. Planprogrami jonë do të zbatohet, nuk ka asnjë premtim fantastiko-shkencor, do të jenë krejt probleme që zgjidhen në formën qysh i zgjedhim ne. Vij prej një partie politike që është model nëpër komuna që kemi pas sukses jashtëzakonisht të madh. Tash duam të sjellim dritë edhe për Prishtinën’, ka theksuar ai.

Berisha pret që të fitojë Prishtinën dhe ta realizojë planin që ka.

“Unë do ta jap maksimumin, e kam një ekip të mirë të ekspertëve, e kam një program të mirë që do ta artikuloj në çdo mjedis, në komunikim derë më derë me krejt qytetarët e Prishtinës dhe besoj se ka ardhur koha tash që prishtinasit të vendosin jo për këtë mashtrimin optik, as për premtimet fantastiko-shkencore por ka ardhur koha që realisht që Prishtinën ta bëjmë qytet e kryeqytet e dikur nëse mund ta bëjmë edhe metropol”, ka potencuar kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës.

Ai po ashtu ka shtuar se qytetarët e kanë mirëpritur dhe kanë shprehur problemet që kanë.

“Jashtëzakonisht mirë, na kanë pritur, na kanë hapur çdo derë, kemi diskutuar për problemet bazike, për të ardhmen, për fëmijët, çështja e sigurisë së fëmijëve nëpër shkolla i ka prehur shumë qytetarët, atë do ta bëj me fokus, e kam të parën në plaprogramin tim dhe besoj se do të kemi sukses”, ka deklaruar Berisha./Gazeta Blic/