Lajme

“Jam njeri i fjalës, çka t’premtoj e bëj”| Bekë Berisha e ka zgjidhjen për Prishtinën, nga qentë endacakë, komunikacioni e deri te siguria

09/17/2025 11:14
nga:G B

Bekë Berisha, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Prishtinës, ka thënë se ka zgjidhje për problemet e kryeqytetit.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për premtimet, teksa prioritet e ka sigurinë në Prishtinë.

Berisha ka thënë se është njeri i fjalës dhe atë që e premton e bën.

Sipas tij, Prishtina ka qenë peng i premtimeve boshe për kohë të gjatë dhe ka ardhur koha që të punohet.

“Prishtina për një kohë të gjatë ka qenë peng i premtimeve boshe dhe i moskryerjes së punëve, besoj që ka ardhur koha tash duhet punuar për Prishtinën praktikisht dhe me të vërtetë. Prioritetet e mia janë në të gjitha sferat, prej gjelbërimit, sigurisë së fëmijëve nëpër shkolla, qentë endacakë, tollovia në komunikacion. Dhe e kemi një program me shtatë shtylla, besoj do ta realizojmë, ku përfshihen nga fëmijët deri te gjyshi. Janë të përfshirë të gjithë në programin tonë”, ka thënë ai.

Sa i përket sigurisë, Berisha ka treguar planin që ka, teksa thekson se prindërit do ta kenë aleat.

“Do të bëjmë siguri inteligjente, jo me rrethoja por me kamera, me prezencë të profesionistëve që e njohin sigurinë dhe mbarëvajtjen, shkolla të reja, në të gjitha aspektet. Mirëpo, do të jetë kryesisht për të gjithë rininë, për të gjithë fëmijët që vijojnë shkollën dhe prindërit do të më kenë aleatin që do të kujdeset për sigurinë e tyre dhe nuk kanë nevojë të shqetësohen për sigurinë e fëmijëve të tyre”, është shprehur kandidati i AAK-së për Prishtinën.

Berisha ka thënë se ka zgjidhje edhe për qentë endacakë që është kastrimi.

“Sa i përket qenve endacake janë provuar të gjitha metodat por s’kanë qenë funksionale, kur ka qenë në plan kastrimi, ai është bërë, janë operuar dhe prapë se prapë ata kanë qenë pjellorë. Kështu që e kam një plan të detajuar, përfshin kastrimin mirëpo ai duhet të bëhet jo duke u korruptuar por duhet bërë realisht sikur të kishte funksionuar ndonjë plan për qentë endacakë deri më sot për 25 vite, atëherë s’do ta kishim pasur këtë problem, mirëpo është çështje korruptive. Edhe kjo forma e fundit që kanë provuar me i strehu dhe me u dhënë para nuk ka funksionuar, do të kthehemi prapë te kastrimi mirëpo te kastrimi real e jo korruptiv, korrupsioni nuk vjen në shprehje”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.

Zgjidhje thotë se ka edhe për tollovinë në komunikacion e sheshin e mbyllur “Xhorxh Bush”.

“Kemi zgjidhje për tollovinë në komunikacion. Edhe për çështjen e rrugës që është mbyllur e do të bëhet shesh, në “Xhorxh Bush”, edhe për atë kemi zgjidhje, do të vazhdojmë me tunele edhe përfundi sheshit, deri te Sëiss Diamond, që do të ketë dalje te Grandi, do të funksionojnë në dy forma, edhe qarkullimi po edhe sheshi, qysh ju bjen mirë qytetarëve dhe bizneseve”, ka deklaruar Bekë Berisha./Gazeta Blic/