Dialogu Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej më shumë se një dekade shihet si proces kyç për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Megjithatë, sot ky proces shihet si i ngadalësuar dhe i bllokuar nga faktorë të shumtë politikë e ndërkombëtarë.
Në një intervistë për GazetaBlic, njohësi i çështjeve politike Albinot Maloku thotë se dialogu tashmë nuk ka prioritetin e dikurshëm as në Prishtinë e Beograd, e as në Bruksel e Uashington.
“Aktualisht, duket se ky proces nuk gëzon prioritetin që kishte dikur, dhe atë as në agjendën e Prishtinës zyrtare e Beogradit zyrtar, e as në vëmendjen strategjike të Brukselit dhe Uashingtonit. Kjo vjen si pasojë e një kombinimi faktorësh, zhvendosja e vëmendjes euro-atlantike drejt krizave të tjera gjeopolitike, por edhe situatatë e brendshme politike në të dy vendet, të cilat kanë ndikuar në mungesën e momentit të duhur për hapa substancialë në dialog. Në Kosovë, mungesa e institucioneve me kapacitet të plotë kushtetues ka krijuar një boshllëk për të avancuar me tema të mëdha e të peshës shtetërore, kurse në Serbi po bëhen vite që ka destabilitet politik”, thekson Maloku.
Një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është koncepti i “normalizimit”. Sipas Malokut, ky proces nuk e ka pasur asnjëherë të formuluar qartë njohjen reciproke si kusht.
“Togfjalëshi “normalizim” në kontekstin e dialogut Kosovë–Serbi nuk e ka pasur asnjëherë si parakusht të qartë njohjen reciproke. Ky është, në fakt, një nga problemet thelbësore që i ka shoqëruar të gjitha marrëveshjet kryesore, si ato të nënshkruara më 2013, ashtu edhe ato të pranuara gojarisht më 2023. Të dyja këto dokumente e konceptojnë normalizimin si një proces të hapur dhe gradual. Për Kosovën njohja është nënkuptuar si synim final, kurse për Serbinë mos-njohja. Por që, njohja nuk është formuluar qartë si domosdoshmëri në momentin e nënshkrimit ose dakordimit”, thotë ai për GazetaBlic.
Sipas njohësit të çështjeve politike, një tjetër element që ka ndikuar në bllokim është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dihet botërisht që buron nga 2013, u shpjegua më tej në vitin 2015, për tu kundërshtuar më pas nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për elemente që binin ndesh me Kushtetutën. Por, ky mekanizëm në 2023 edhe pse nuk përmendet nominalisht, referenca ndaj tij është e qartë përmes nenit 7 të marrëveshjes, ku thuhet: “Të dyja palët konfirmojnë përkushtimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.” Ky formulim i detyron palët të respektojnë 2013-tën për Asociacionin. Për më tepër, në Aneksin e Ohrit, Kosova u zotua që: “të fillojë menjëherë negociatat për themelimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë””, shprehet ai.
Veç kësaj, ai tha se dialogu shpesh është përdorur nga politikanët si instrument elektoral.
“Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithëse ka synuar normalizimin e marrëdhënieve, shpesh është shfrytëzuar nga politikanët në të dyja anët si një mjet për konsum politik të brendshëm. Përdorim ka qenë dukshëm i pranishëm sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku partitë politike e kanë përdorur dialogun dhe rezultatet e tij për të forcuar pozicionet e tyre apo për të diskredituar kundërshtarët. Qeveritë kanë qenë në prag të rrëzimit, janë rrëzuar apo formuar për shkak të qëndrimeve të tyre lidhur me dialogun, duke e kthyer këtë proces në një element kyç të betejave politike të ditës”, u shpreh Maloku për GazetaBlic.
Nëse dialogu dështon, Maloku paralajmëron se skenari më i mundshëm është ngrirja e raporteve, por nuk përjashtohet as rreziku për destabilizim.
“Normalizimi i marrëdhënieve për Kosovën nënkupton arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që siguron njohje të ndërsjellë, bashkëpunim rajonal dhe raporte ndër fqinjësore. Përgjigjja po ashtu hipotetike mund të ishte, nëse dialogu dështon përfundimisht, skenari më i mundshëm fillestar është ngrirja e raportit aktual. Një situatë ku mosmarrëveshjet mbeten të pazgjidhura dhe marrëdhëniet mbeten të ngrira pa përparim konkret, por pa rikthim në përplasje të armatosur. Kjo gjendje sjell stagnim politik dhe pasiguri për integrimin euroatlantik të të dyja vendeve”, deklaron ai.
Edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë dhe ka marrë njohje ndërkombëtare të rëndësishme, njohësi i çështjeve politike vlerëson se ajo shpesh vihet në pozitë mbrojtëse për shkak të asimetrisë diplomatike.
“Kosova, ndonëse e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe u njoh nga shumica e vendeve perëndimore, përfshirë fuqitë kryesore të BE-së dhe SHBA-në, e ka marrë edhe mbështetjen ligjore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, kur kjo e fundit deklaroi se shpallja e pavarësisë nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, në dialogun me Serbinë, Kosova shpesh gjendet në një pozitë mbrojtëse. Kjo pozitë buron nga një sërë faktorësh. Së pari, asimetria ndërkombëtare, Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe nuk njihet nga pesë shtete të BE-së, as nga Rusia dhe Kina, gjë që i jep Serbisë një avantazh në forume ndërkombëtare. Së dyti, mosuniteti brenda BE-së dhe prioriteti për “stabilitet rajonal” shpesh e vendosin Kosovën nën presion për të lëshuar pe apo për të zbatuar marrëveshje të debatueshme. Së treti, mungesa e një strategjie të unifikuar politike brenda vetë Kosovës e ka vënë atë në pozitë reaktive”, tha ai.
Maloku thotë se dialogu nuk ka prodhuar ende marrëveshjen përfundimtare që do të garantonte njohjen reciproke dhe normalizimin real.
“Qasja e Bashkimit Evropian dhe faktorit ndërkombëtar ka lëvizur drejt menaxhimit të krizave dhe shmangies së përshkallëzimeve, duke shtyrë përpara marrëveshje kompromisi që jo domosdoshmërisht e fuqizojnë interesin e Kosovës për dialogun. Rreziku i krijimit të një stabiliteti artificial, ku mbulohet mungesa e zgjidhjes përfundimtare me formula të paqarta si “vetëmenaxhimi për komunitetin serb” apo “zbatim i marrëveshjeve pa njohje formale”, e vendos Kosovën në një pozicion të vështirë. Një marrëveshje që nuk garanton njohje, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kontroll të brendshëm sovran, nuk mund të konsiderohet si një përfundim i suksesshëm i dialogut, së paku jo për Kosovën, por si një kompromis i njëanshëm në emër të “stabilitetit””, përfundon ai.

Intervista e plotë:
Gazeta Blic: A është dialogu Kosovë–Serbi ende prioritet real për BE-në dhe SHBA-në, apo është lënë në harresë për shkak të krizave të tjera ndërkombëtare?
Albinot Maloku: Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011, ka kaluar nëpër faza të ndryshme, shpesh të diktuara nga zhvillimet e brendshme politike dhe konteksti ndërkombëtar. Aktualisht, duket se ky proces nuk gëzon prioritetin që kishte dikur, dhe atë as në agjendën e Prishtinës zyrtare e Beogradit zyrtar, e as në vëmendjen strategjike të Brukselit dhe Uashingtonit. Kjo vjen si pasojë e një kombinimi faktorësh, zhvendosja e vëmendjes euro-atlantike drejt krizave të tjera gjeopolitike, por edhe situatatë e brendshme politike në të dy vendet, të cilat kanë ndikuar në mungesën e momentit të duhur për hapa substancialë në dialog. Në Kosovë, mungesa e institucioneve me kapacitet të plotë kushtetues ka krijuar një boshllëk për të avancuar me tema të mëdha e të peshës shtetërore, kurse në Serbi po bëhen vite që ka destabilitet politik. Kjo gjendje e bënë të domosdoshëm një rivlerësim serioz të qasjes ndaj dialogut, si nga akterët lokalë, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë, nëse synohet një proces që prodhon rezultate dhe jo vetëm deklarata.
Gazeta Blic: Si mund të flasim për normalizim kur Serbia ende refuzon ta njohë Kosovën dhe një pjesë e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara nuk po zbatohen?
Albinot Maloku: Togfjalëshi “normalizim” në kontekstin e dialogut Kosovë–Serbi nuk e ka pasur asnjëherë si parakusht të qartë njohjen reciproke. Ky është, në fakt, një nga problemet thelbësore që i ka shoqëruar të gjitha marrëveshjet kryesore, si ato të nënshkruara më 2013, ashtu edhe ato të pranuara gojarisht më 2023. Të dyja këto dokumente e konceptojnë normalizimin si një proces të hapur dhe gradual. Për Kosovën njohja është nënkuptuar si synim final, kurse për Serbinë mos-njohja. Por që, njohja nuk është formuluar qartë si domosdoshmëri në momentin e nënshkrimit ose dakordimit. Së dyti, fakti që një pjesë e madhe e marrëveshjeve të arritura deri më tani nuk janë zbatuar në praktikë, ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e vetë procesit të dialogut. Për këtë situatë, përgjegjësia nuk qëndron vetëm te palët nënshkruese, të cilat vazhdimisht janë akuzuar ndërsjella për pengesa, por edhe te lehtësuesi, i cili nuk ka krijuar mekanizma të qartë për monitorim, transparencë dhe llogaridhënie. BE-ja, në përpjekje për të ruajtur një stabilitet, shpesh ka shmangur përballjen me shkeljet e hapura të marrëveshjeve. Në këtë kuptim, për të kaluar nga një “normalizim marrëdhëniesh” në një normalizim real dhe politikisht të qëndrueshëm, është e domosdoshme që dialogu të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese, e cila në qendër të saj përfshin njohjen de facto dhe de jure ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vetëm një qasje e tillë do të siguronte jo vetëm stabilitet, por edhe barazi ndërkombëtare dhe funksionalitet institucional për të dyja palët.
Gazeta Blic: A është kthyer Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në kushtin kryesor që po e bllokon të ardhmen e dialogut?
Albinot Maloku: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dihet botërisht që buron nga 2013, u shpjegua më tej në vitin 2015, për tu kundërshtuar më pas nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për elemente që binin ndesh me Kushtetutën. Por, ky mekanizëm në 2023 edhe pse nuk përmendet nominalisht, referenca ndaj tij është e qartë përmes nenit 7 të marrëveshjes, ku thuhet: “Të dyja palët konfirmojnë përkushtimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.” Ky formulim i detyron palët të respektojnë 2013-tën për Asociacionin. Për më tepër, në Aneksin e Ohrit, Kosova u zotua që: “të fillojë menjëherë negociatat për themelimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Mbështetur në këto fakte të pranuara nga palët, Bashkimi Evropian, – që mbart peshën e fajit për shpikjen e këtij mekanizmi të pa kuptimtë për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës-, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kohë që e kanë vendosur në qendër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë formimin e Asociacionit. Gjithsesi s’është i vetmi faktor, por një spektër më i gjerë faktorësh dhe sfidash që po e pengojnë përparimin dhe përmbylljen e këtij dialogu të stërzgjatur e shterues mes Kosovës dhe Serbisë!
Gazeta Blic: A po përdoret dialogu nga politikanët në Prishtinë dhe Beograd si kartë për konsum të brendshëm, më shumë sesa si proces i sinqertë për zgjidhje?
Albinot Maloku: Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithëse ka synuar normalizimin e marrëdhënieve, shpesh është shfrytëzuar nga politikanët në të dyja anët si një mjet për konsum politik të brendshëm. Përdorim ka qenë dukshëm i pranishëm sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku partitë politike e kanë përdorur dialogun dhe rezultatet e tij për të forcuar pozicionet e tyre apo për të diskredituar kundërshtarët. Qeveritë kanë qenë në prag të rrëzimit, janë rrëzuar apo formuar për shkak të qëndrimeve të tyre lidhur me dialogun, duke e kthyer këtë proces në një element kyç të betejave politike të ditës. Megjithatë, pavarësisht këtyre lëvizjeve politike, thelbi i dialogut, që janë obligimet e palëve kanë mbetur të paprekura e të pandryshuara. Ky fenomen ka reflektuar një mungesë maturie politike, pasi përfitimet afatgjata të dialogut dhe rëndësia e një zgjidhjeje të qëndrueshme e përfundimtare është sakrifikuar në funksion të interesave të përkohshme politike. Duke pa që trajektorja e rezultateve të dialogut Kosovë – Serbi për palët nuk po ndryshon në thelb, pavarësisht ndryshimeve të partive politike në Qeveri, do të ishte mirë që liderët politikë, sidomos në vendin tonë, të fokusohen më shumë në përgjegjësinë shtetërore dhe të ndërtojnë një konsensus të brendshëm për dialogun, duke minimizuar ndikimin e përdorimit për konsum politik të procesit të dialogut. Vetëm kështu mund të sigurohet që dialogu të shndërrohet në një proces efektiv për arritjen e synimeve shtetërore të Republikës së Kosovës!
Gazeta Blic: Nëse dialogu dështon përfundimisht, çfarë skenari alternativ mbetet për Kosovën dhe rajonin – ngrirje e konfliktit apo rrezik për destabilizim?
Albinot Maloku: Pyetja juaj edhe pse mund të cilësohet hipotetike është mjaftë qenësore dhe kërkon një analizë të kujdesshme, duke marrë parasysh kompleksitetin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ndikimin e tyre në rajon. Çështja është se në diskursin publik nuk pati një sqarim se çka është sot definicioni “konflikt” mes Kosovës dhe Serbisë dhe çka nënkupton “normalizim” ndërmjet tyre?! Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e plotë të fjalës, ishte lufta e armatosur që përfundoi me 1999, kurse sot mund të konsiderohet që ka armiqësi dhe mungesë të njohjes së realitetit nga ana e Serbisë ndaj Kosovës. Ndërsa, normalizimi i marrëdhënieve për Kosovën nënkupton arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që siguron njohje të ndërsjellë, bashkëpunim rajonal dhe raporte ndër fqinjësore. Përgjigjja po ashtu hipotetike mund të ishte, nëse dialogu dështon përfundimisht, skenari më i mundshëm fillestar është ngrirja e raportit aktual. Një situatë ku mosmarrëveshjet mbeten të pazgjidhura dhe marrëdhëniet mbeten të ngrira pa përparim konkret, por pa rikthim në përplasje të armatosur. Kjo gjendje sjell stagnim politik dhe pasiguri për integrimin euroatlantik të të dyja vendeve. Megjithatë, mund të ekzistojë edhe rreziku për destabilizim, veçanërisht nëse përkeqësohen tensionet etnike ose politike në terren, duke krijuar mundësi për përshkallëzim lokal apo rajonal. Faktorë të tillë mund të përfshijnë ngjarje të papritura politike, ndikime të jashtme ose mosrespektim të marrëveshjeve ekzistuese. Në këtë kontekst, skenari më i mirë për Republikën e Kosovës duhet të jetë gjithmonë në respektimin e Kushtetutës, ku përmes këtij akti respektohen qytetarët e saj pa asnjë dallim, forcimin e shtetit ligjor, kthimin e besueshmërisë tek institucioni i shtetit, forcimin e marrëdhënieve me fuqizuesit ndërkombëtarë që e njohin dhe mbështesin pavarësinë e saj. Si dhe krijimi i aleancave të reja në rrafshin global!
Gazeta Blic: A ka dështuar realisht dialogu, dhe a është duke u imponuar një marrëveshje që i shërben më shumë stabilitetit artificial në rajon sesa interesave të Kosovës?
Albinot Maloku: Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i nisur në vitin 2011 nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, për ne nuk ka arritur objektivin kryesor, pra të ketë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për palët e që në qendër ta ketë njohjen e ndërsjellë de fakto e de jure, në mënyrë që të prodhonte normalizimin real të raporteve. Në këtë kuptim, mund të thuhet se dialogu nuk ka dështuar plotësisht, por ka degraduar në një proces i cili po mbahet në jetë më shumë për arsye periferike sesa për interesat reale të përmbylljes së një sage raportesh jo miqësore mes palëve! Mungesa e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe mosbesimi i ndërsjellë, tensionet e vazhdueshme në terren dhe përdorimi i dialogut si instrument për konsum të brendshëm nga elitat politike në të dyja vendet e kanë minuar rrugëtimin e këtij procesi në sytë e qytetarëve dhe kanë rritur skepticizmin ndaj angazhimit të sinqertë të lehtësuesve! Në këtë shpjegim, perceptimi se po imponohet një normalizim i ndërtuar mbi nevojën për stabilitet, sesa mbi interesat legjitime të Kosovës, nuk është i pabazë. Qasja e Bashkimit Evropian dhe faktorit ndërkombëtar ka lëvizur drejt menaxhimit të krizave dhe shmangies së përshkallëzimeve, duke shtyrë përpara marrëveshje kompromisi që jo domosdoshmërisht e fuqizojnë interesin e Kosovës për dialogun. Rreziku i krijimit të një stabiliteti artificial, ku mbulohet mungesa e zgjidhjes përfundimtare me formula të paqarta si “vetëmenaxhimi për komunitetin serb” apo “zbatim i marrëveshjeve pa njohje formale”, e vendos Kosovën në një pozicion të vështirë. Një marrëveshje që nuk garanton njohje, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kontroll të brendshëm sovran, nuk mund të konsiderohet si një përfundim i suksesshëm i dialogut, së paku jo për Kosovën, por si një kompromis i njëanshëm në emër të “stabilitetit”.
Gazeta Blic: Pse Kosova shpesh duket se ndodhet në pozitë mbrojtëse në dialog, pavarësisht se është pala që e ka përmbyllur statusin e saj me shpalljen e pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare?
Albinot Maloku: Kosova, ndonëse e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe u njoh nga shumica e vendeve perëndimore, përfshirë fuqitë kryesore të BE-së dhe SHBA-në, e ka marrë edhe mbështetjen ligjore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, kur kjo e fundit deklaroi se shpallja e pavarësisë nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, në dialogun me Serbinë, Kosova shpesh gjendet në një pozitë mbrojtëse. Kjo pozitë buron nga një sërë faktorësh. Së pari, asimetria ndërkombëtare, Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe nuk njihet nga pesë shtete të BE-së, as nga Rusia dhe Kina, gjë që i jep Serbisë një avantazh në forume ndërkombëtare. Së dyti, mosuniteti brenda BE-së dhe prioriteti për “stabilitet rajonal” shpesh e vendosin Kosovën nën presion për të lëshuar pe apo për të zbatuar marrëveshje të debatueshme. Së treti, mungesa e një strategjie të unifikuar politike brenda vetë Kosovës e ka vënë atë në pozitë reaktive. Pra, pozita mbrojtëse e Kosovës nuk është pasojë e legjitimitetit të dobët, por e arkitekturës politike dhe diplomatike që e rrethon procesin e dialogut, një arkitekturë që shpesh i kërkon asaj të justifikojë më shumë sesa të udhëheqë me iniciativë.
Gazeta Blic: A po ushtron Perëndimi presion të padrejtë ndaj Kosovës për të përmbushur kërkesat e Serbisë, vetëm për të ruajtur iluzionin e një procesi funksional?
Albinot Maloku: Në perceptimin publik dhe politik në Kosovë, kërkesat e lehtësuesve dhe mbështetësve të dialogut shpesh shihen si presion i njëanshëm, që synon të ruajë balancën formale të një procesi. Kjo ndjesi krijohet veçanërisht kur kërkesat drejtohen ndaj Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa Serbia i shmang obligimet e veta pa pasoja të dukshme. Megjithatë, përtej perceptimeve, shtetësia dhe serioziteti i Kosovës duhet të maten me aftësinë e saj për të vepruar me maturi politike. Prishtina zyrtare duhet të jetë shumë e kujdesshme në dhënien e “po-së” në çdo marrëveshje, por kur kjo po jepet, qoftë me nënshkrim apo me dakordim gojor, ajo duhet të përkthehet në përgjegjësi shtetërore për zbatimin e saj. Në vend që të qëndrojë në pozicion mbrojtës dhe të justifikohet vazhdimisht për mungesën e veprimit, Kosova duhet të shfrytëzojë kapacitetin e saj shtetëror për të udhëhequr procesin. Vetëm përmes një qasjeje të tillë Kosova mund të dalë nga roli i palës që vetëm i përgjigjet presioneve, dhe të shndërrohet në një aktore aktive e respektuar në procesin e dialogut. /GazetaBlic/


