Elmedina Ahmeti, ka njoftuar se do të jetë pjesë e garës për Asamblenë Komunale nga Nisma Socialdemorkate, dega në Viti, raporton GazetaBlic.
Ahmeti thotë se do të jetë zëri i qytetarëve pa dallim bindje politike e partiake.
Ajo thotë se ky angazhim nuk është thjesht politikë, është përgjegjësi ndaj vendit dhe njerëzve që dua.
Postimi i plotë:
Të dashur bashkëqytetarë, miq e familjarë
Me kënaqësi ju njoftoj se do të jem pjesë e garës për Asamblenë Komunale nga Nisma Socialdemokrate, dega në Viti, të cilëve u jam mirënjohës për mundësinë. Unë do të jem zëri i qytetarëve pa dallim bindje politike e partiake.
Çdo rrugicë që njoh këtu në Viti më kujton një histori, një fëmijëri, një sfidë dhe një ëndërr të përbashkët.
Sot qëndroj para jush me zemër të hapur dhe dëshirë të madhe për të qenë zëri juaj në Asamblenë Komunale.
Jam rritur këtu dhe e dua këtë vend me gjithë shpirt. Vendimi për t’u kandiduar ka ardhur nga jeta e përditshme, nga sfidat që i përjetoj si nënë dhe si grua që punon për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.
Ky angazhim nuk është thjesht politikë, është përgjegjësi ndaj vendit dhe njerëzve që dua. Si qytetare dhe si sipërmarrëse e vogël, e di sa e vështirë është të përballesh me pengesa dhe të mos ndihesh i dëgjuar. Pikërisht për këtë arsye vendosa të jem zëri i atyre që nuk kanë mundësi të dëgjohen.
Çfarë duan qytetarët:
Duan shkolla ku fëmijët tanë ndihen të sigurt dhe të vlerësuar,
rrugë të sigurta dhe transport funksional, mundësi punësimi me meritokraci dhe mbështetje për bizneset. Secili nga ne duan
shërbime shëndetësore që respektojnë dinjitetin e secilit, mjedis të pastër dhe të gjelbër, mundësi për sport, kulturë dhe aktivitete për të rinjtë.
Nuk premtoj mrekulli, por premtoj përkushtim, sinqeritet dhe praninë time pranë jush çdo ditë. Besoj se ndryshimi fillon me guximin dhe punën e përbashkët.
Le të ecim bashkë drejt një Viti më të ndritur, ku secili ndihet i përfshirë, i dëgjuar dhe i vlerësuar. Së bashku mund të ndryshojmë të ardhmen e këtij qyteti.
Me respekt për Vitinë qe duam!


