Lajme

“Pranë kolapsit ekonomik”/ Paralajmërohen pasoja pas vendimit të Komerciales në favor të ZRRE-së: Shkatërrues në aspektin social

08/13/2025 19:41
nga:G B

Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, ka aprovuar ankesën e ZRRE-së lidhur me masën e sigurisë për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe “ka ndryshuar pikën IV të Aktgjykimit KA.nr.301/25 të Gjykatës Komerciale – Dhoma Shkalla e Parë, me ç’rast ka Refuzuar padinë e paditësit për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike”.

Andaj, ZRRE ka bërë thirrje që të gjithë konsumatorët komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit me energji elektrike, “të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar të publikuar në faqen zyrtare të ZRRE, sepse nga data e 16.08.2025 konsumatorët komercial të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar do të ndërpriten nga rrjeti energjetik”.

Lidhur me këtë ka pasur reagime të shumta, derisa nga LDK thanë se sapo të konstituohet Kuvendi, do të hetohen vendimet e ZRRE-së dhe KOSTT-it.

Lidhur me këtë vendim të Gjykatës Komerciale, ish kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë për Gazeta Blic se Kosova është bërë hapësirë eksperimentale dhe se ky vendim është goditje e re për sektorin privat.

“Duhet të kuptohet e vërteta e hidhur që në këtë kaos politik Kosova është shndërruar në hapësirë eksperimentale, eksperimentohet me raporte me partnerët strategjikë, qoftë me Evropë apo SHBA-të, e ka kapluar Kosovën një punësim masiv i militantëve partiak. Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është një goditje për sektorin prodhues, në këtë drejtim inflacioni ka arritur në 4.3 për qind dhe askush nuk merret me një gjë të tillë dhe vendimi i fundit i Gjykatës Komerciale do të jetë një goditje e re për sektorin privat. Nuk duhet të na habit fakti pse kemi një rritje të importeve dhe rënie të eksporteve, kjo do të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë ai.

Sipas Gërxhaliut, vendimi është shqetësues në aspektin ekonomik dhe shkatërrues në aspektin social.

Ai paralajmëron pasoja enorme negative për vendin.

“Ky është një vendim që duhet të analizohet në disa dimensione, është shqetësues në aspektin ekonomik, shkatërrues në aspektin social, në veçanti në aspektin politik, si mund të kemi vendime të tilla kur nuk kemi institucione të dala nga vota e qytetarëve. Prandaj, besoj se po eksperimentohet me shtet dhe e tëra kjo do të ketë pasoja enorme negative jo vetëm sot por në të ardhmen edhe më tepër”, ka deklaruar Safet Gërxhaliu për Gazeta Blic.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Artan Muhaxheri, vlerëson se vendimi është në favor të ZRRE-së dhe në dëm të bizneseve.

“Gjykata Komerciale ka marrë një vendim në favor të ZRRE-së dhe, në praktikë, në dëm të bizneseve. Për vetë vendimin nuk mund të flas në aspektin juridik, sepse nuk jam jurist dhe nuk dua të spekuloj për mundësinë e ndikimeve të jashtme ndaj gjykatës”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, bizneset do ta kenë tejet të vështirë të përballojnë një treg të hapur energjetik.

“Por, si njohës i fushës së biznesit, mund të them me kompetencë se bizneset do ta kenë jashtëzakonisht të vështirë të përballojnë një treg të hapur të energjisë elektrike, sidomos në një kohë kur nuk janë krijuar as parakushtet bazë për ta bërë këtë tranzicion”, ka vlerësuar Muhaxheri.

Ai shton se jemi në prag të një kolapsi ekonomik.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se jemi në prag të një kolapsi ekonomik: bizneset nuk kanë mbështetje, prodhimi vendor është në gjendjen më të keqe të dekadës së fundit, borxhi i qytetarëve ndaj bankave është më i larti ndonjëherë, kostoja e jetesës është në rritje të vazhdueshme. Nëse kësaj situate i shtojmë edhe shtrenjtimin e energjisë përmes tregut të lirë, atëherë Kosova rrezikon të bëhet një vend pothuajse i papërballueshëm për jetesë, me të ardhurat për frymë që kemi aktualisht”, ka potencuar eksperti i ekonomisë.

Po ashtu, ai thekson se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike duhet të jetë e planifikuar mirë dhe me mbështetje për bizneset, e jo detyrim i menjëhershëm.

“Ky proces, i kryer në këtë mënyrë, nuk i shërben as konkurrencës së shëndetshme, as zhvillimit ekonomik. Liberalizimi i tregut të energjisë duhet të jetë një reformë e mirëplanifikuar, e shoqëruar me mbështetje për bizneset, transparencë në çmime dhe një periudhë tranzitore reale, e jo një detyrim i menjëhershëm që i vendos bizneset përballë faturave të papërballueshme”, ka deklaruar Arton Muhaxheri./Gazeta Blic/

 

Bajrami paralajmëron Komision për ta hetuar ZRRE’në dhe KOSTT’in pas konstituimit të Kuvendit

 

ZRRE thotë se Gjykata Komerciale aprovoi ankesën e saj: Refuzohet padia për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë