Lajme

Mesazhi i SHBA-ve/ Izmaku: Më 8 gusht mundësia e fundit që partitë të tregojnë pjekuri politike dhe të ngriten mbi interesin partiak

07/29/2025 21:58
nga:G B

Ambasada amerikane në Prishtinë, ka thënë se mos kontituimi i Kuvendit po rrezikon integritetin e institucioneve të Kosovës.

Po ashtu, kjo ambasadë ka bërë thirrje që të gjendet zgjidhje gjatë javës së ardhshme, derisa më 8 gusht përfundon afati kushtetues.

Lidhur me këtë, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahrie Izmaku, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kjo deklaratë është thirrje serioze për të gjitha subjektet politike dhe duhet reflektuar.

“Deklarata e Ambasadës së SHBA-së është një thirrje serioze që duhet të merret me përgjegjësi nga të gjitha subjektet politike. Kur partnerët tanë strategjikë flasin për rrezikimin e integritetit të institucioneve, është moment reflektimi, jo heshtjeje”, u shpreh ajo.

Izmaku ka shtuar se Nisma është e përkushtuar që vendi të dalë nga bllokada dhe kanë treguar vullnet për marrëveshje.

“Ne në Nismë kemi qenë dhe mbetemi të përkushtuar që vendi të dalë nga kjo bllokadë përmes një zgjidhjeje të qëndrueshme, të ndershme dhe që respekton Kushtetutën. Nuk kemi qenë pengesë për marrëveshje, përkundrazi, kemi treguar vullnet dhe fleksibilitet në çdo përpjekje për t’i dhënë institucioneve funksionalitetin që qytetarët presin”, ka thënë deputetja për Gazeta Blic.

Po ashtu, ajo ka theksuar se afati kushtetues më 8 gusht është mundësia e fundit për të treguar pjekuri politike dhe për t’u ngritur mbi interesin partiak.

“Afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese mbaron më 8 gusht – kjo është mundësia e fundit për të treguar pjekuri politike dhe për t’u ngritur mbi interesin partiak. Kosova nuk guxon të lërë asnjëherë përshtypjen se nuk arrin të menaxhojë vetë krizën institucionale. Ndihma dhe miqësia e SHBA-së janë themelore për ne – por përgjegjësia për të garantuar institucione funksionale është në dorën tonë”, ka deklaruar deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku./Gazeta Blic/