Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të datës 26 qershor tha se Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30 ditor.
“Duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij” thuhet në vendim.
Por pavarësisht këtij vendimi situata në Kuvend vazhdon të jetë e njëjtë pa asnjë lëvizje.
Partia që ka dalë e para në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim, duke mos lëvizur nga kandidatura e Albulena Haxhiut, po ashtu edhe partitë ish-opozitare vazhdojnë të mos e votojnë atë.
Por çfarë pritet të ndodhë pas 30 ditësh?
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Bugaqku tha se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka paraparë ndonjë masë ose sanksion se çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet nga ana e deputetëve.
Ai tha se Gjykata në një vendim të radhës mund të konstatoj se është shkelur Kushtetuta e Kosovës dhe mund ta interpretoj frymën e nenit 82 të Kushtetutës dhe t’a obligoj Presidenten që t’a shpërndajë Parlamentin dhe t’i shpall zgjedhjet e reja.
“Eshtë e vërtetë që në vendimin e fundit, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës duke u përgjigjur në kërkesën e deputetëve të AAK-së dhe disa deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës, ka dhënë një interpretim ku ka shpjeguar pak a shumë situatën e çështjes së procedurës së votimit të fshehtë dhe është e vërtetë që ka vendosur një standart sa i përket vendosjes së një afati 30-ditor në të cilin obligohen deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’a konstituojnë Kuvendin. Megjithatë vendimi si i tillë nuk ka paraparë ndonjë masë ose sanskion se çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet nga ana e deputetëve. Për kete arsye jeni besoj të gjithë dëshmitarë që ka edhe disa subjekte të tjera politike që i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të flasë në lidhje me këtë çështje.
“Unë mendoj se gjykata deri në një vendim të rradhës, hipotetikisht, mund të japë interpretim shtesë duke e sqaru se çfarë efekti ka afati 30-ditor nëse nuk respektohet nga ana e deputetëve. Së pari mendoj se Gjykata mund të konstatoj se është shkelur Kushtetuta e Kosovës dhe detyrimi kushteteus i këtyre deputetëve që t’a konstituojnë Kuvendin brenda afatit 30 ditë. Së dyti Gjykata mund të theksoj se këto veprime të deputetëve nuk kanë qenë në përputhje as me aktgjykimin e Gjykatës të lëshuar së fundmi për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe si rrjedhojë unë vlerësoj se ndoshta është e mundur që Gjykata Kushtetuese, si një farë mase, mund të shpjegojë faktin që në këtë çështje, nëse këta deputetë për 30 ditë nuk e kanë zbaatuar aktgjykimin e Gjykatës, nuk e kanë respektuar as Kushtetutën e Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit, atëherë Gjykata Kushtetuese mund ta interpretoj frymën e nenit 82 të Kushtetutës dhe t’a obligoj Presidenten që t’a shpërndajë Parlamentin. Sepse neni 82 nuk është që e citon dhe e thotë shpehimisht shpërndarjen e Kuvendit në rast të mos-zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarit por unë po them në rast se komplet konstitumi i Kuvendit nuk ndodh brenda këtij afati nga ana e deputetëve atëherë si masë mund të jetë që GJK-ja ta interpretojë frymën e nenit 82 të Kushtetutës në përputhje me nenin 82 dhe t’a obligoj Presdienten që t’a bëj shpërbërjen e Kuvendit dhe t’i shpallë zgjedhejt e e reja. Unë parashikoj se kjo mund të jetë sqarimi i mëtutjeshëm i kësaj situate nga ana e Gjykatës Kushteteuse” tha Bugaqku në intervistën e tij dhënë për “Gazeta Blic”.

Vullnet Bugaqku, KDI!
/Gazeta Blic/


