Lajme

Ultimatumi i Gjykatës po afrohet, Drenori optimist: Deputetët do të gjejnë zgjidhje, le të dëshmojmë se dimë të sillemi si shtet

07/09/2025 18:35
nga:Genita C

Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, ka bërë një thirrje të fuqishme për aktorët politikë që të gjejnë forcën dhe përgjegjësinë për t’i dhënë fund ngërçit institucional në Kosovë.

Ai për GazetaBlic thekson se kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese për zgjidhjen e situatës.

“Besoj se akterët politikë, pavarësisht dallimeve, do të gjejnë forcën dhe përgjegjësinë për të dalë nga ky ngërç institucional dhe për të ofruar një zgjidhje që i shërben vendit, sidomos në kohën e mbetur që ka dhënë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj të fundit,” ka thënë Drenori.

Ai nënvizon nevojën urgjente për institucione funksionale dhe përfaqësim të dinjitetshëm në vend. Sipas tij, skena politike duhet të tregojë guxim, maturi dhe përgjegjësi për të tejkaluar këtë situatë.

“Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe përfaqësim dinjitoz – ndaj është koha që skena politike të gjejë guximin, maturinë dhe përgjegjësinë për të tejkaluar ngërçin në Kuvend,” ka shtuar ai.

Drenori ka bërë apel për konstituimin e shpejtë të parlamentit me kryetar dhe nënkryetarë që reflektojnë vullnetin qytetar, duke theksuar se demokracia nuk pret.

“Të konstituojmë sa më parë parlamentin me kryetar/e dhe nënkryetarë që reflektojnë vullnetin qytetar, sepse demokracia nuk pret. Është momenti për bashkëpunim, jo për bllokim; për ndërtim, jo për inat,” ka deklaruar ai.

Në përfundim, Drenori ka bërë thirrje për një sjellje të përgjegjshme dhe të pjekur nga aktorët politikë dhe shoqëria në përgjithësi.

“Le të dëshmojmë se dimë të sillemi si shtet dhe si shoqëri e pjekur,” ka përfunduar njohësi i çështjeve politike./GazetaBlic/