Shkumbin Misini, njohës i ekonomisë, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke e cilësuar atë si një goditje të fortë për lidershipin destruktiv dhe një sinjal për mënyrën e gabuar të qeverisjes në sektorin e energjisë.
Sipas tij, “pezullimi nga Gjykata i vendimit të ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë përbën një goditje të fortë për lidershipin destruktiv kosovar.”
Ai për GazetaBlic ka theksuar se mungesa e konsultimeve me aktorët ekonomikë kryesorë – si bizneset, ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile – ka sjellë pasiguri dhe shqetësime të mëdha për mjedisin ekonomik në vend.
“Ky vendim nxjerr në pah mungesën e konsultimeve të nevojshme me aktorët kryesorë ekonomikë, si bizneset, ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile. Veprimi i Qeverisë në mënyrë të njëanshme ka krijuar pasiguri dhe ka rritur shqetësimet për largim nga Kosova,” ka deklaruar Misini.
Ai ka theksuar se liberalizimi i tregut duhet të bëhet me kujdes dhe brenda një periudhe të arsyeshme dyvjeçare, jo në mënyrë të nxituar.
“Liberalizimi i tregut, nëse zbatohet me kujdes dhe në një periudhë të arsyeshme kohore dyvjeçare, mund të sjellë përfitime si ulja e çmimeve dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve. Megjithatë, një vendim i tillë i marrë brenda 2-3 muajve është i nxituar dhe nuk i jep kohë të mjaftueshme palëve të përfshira për t’u përshtatur me kërkesën dhe ofertën për të qenë në një ekuilibër të mirëfilltë.”
Misini ka paralajmëruar se çdo reformë e shpejtë dhe e pa konsultuar mund të sjellë pasoja të paparashikuara, duke cenuar suksesin afatgjatë të liberalizimit.
Ai theksoi se “çdo reformë e shpejtë dhe pa përfshirje të gjerë ka pasoja të paparashikuara, duke rrezikuar suksesin afatgjatë të procesit të liberalizimit.”
Në përfundim, ai u bëri thirrje institucioneve që të ndërtojnë vendimmarrje të bazuar në analiza të thella dhe të përfshijnë qytetarët dhe bizneset në proces, sepse “kur qytetarët dhe bizneset e humbasin besimin në institucionet publike, ulet edhe efektiviteti i qeverisjes dhe realizimi i politikave publike, duke ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.”
Për këtë arsye, ai theksoi rëndësinë e “promovimit të transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të parimeve etike” si parakushte për rikthimin e besimit dhe ndërtimin e institucioneve funksionale dhe të qëndrueshme.
/GazetaBlic/


