– Në kuadër të angazhimeve për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Besart Dreshaj, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, realizuan një vizitë zyrtare në Komunën e Pejës, ku u pritën nga Kryetari, z. Gazmend Muhaxheri.
Gjatë këtij takimi të rëndësishëm, Kryetari i LBK-së, z. Dreshaj, falënderoi Kryetarin Muhaxheri për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetje të sektorit privat, për afërsinë me komunitetin e biznesit dhe për krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin ekonomik në Komunën e Pejës.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të forcimit të lidhjeve ekonomike me Shqipërinë.
Në fjalën e tij, Kryetari Muhaxheri shprehu mirënjohje për vizitën e delegacionit, duke theksuar se Komuna e Pejës ndihet e nderuar që mirëpret Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Malaj, dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe tradicional me përfaqësuesit diplomatikë të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, ai vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës në zhvillimin ekonomik të Pejës, duke nxitur sektorin privat dhe promovuar prodhimin vendor.
Ambasadori Malaj vlerësoi lidhjet e ngushta vëllazërore mes qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, duke përmendur Pejën si një qytet me vlera të larta natyrore, kulturore dhe historike, i cili gjithmonë ka ofruar një mikpritje të ngrohtë dhe dashamirëse për qytetarët shqiptarë.
Gjatë takimit, palët diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e turizmit, zhvillimin e sektorit privat dhe avancimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet Komunës së Pejës dhe Bashkive të Shqipërisë, veçanërisht me Durrësin dhe Lezhën.
Pjesë e delegacionit ishin edhe:
z. Kastriot Noli – Këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë,
z. Hashim Deshishku – Nënkryetar i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës dhe përfaqësues i Korporatës LESNA,
z. Artan Spahija – Përfaqësues i Korporatës Devolli Group,
z. Gezon Berisha – Përfaqësues i kompanisë “Shkembi i Gllarevës”,
z. Murat Kuka – Përfaqësues i kompanisë “Kuka Group”,
z. Mustaf Krasniqi – Përfaqësues i kompanisë “Knap Construction”.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar në rolin e saj për forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit, institucioneve publike dhe përfaqësive diplomatike, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe integrimin e mëtejshëm rajonal.



