Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka kërkuar partive politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e datës 9 shkurt 2025.
Në vitet e fundit, AIP-ja ka pranuar ankesa nga qytetarët ndaj partive politike për përdorimin e të dhënave personale në mënyrë të paautorizuar.
“Në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit, përkatësisht mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, Agjencia për Informim dhe Privatësi në vitet e fundit ka pranuar ankesa të adresuara nga qytetarët ndaj partive politike për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve në mënyrë të paautorizuar, duke aplikuar marketingun e drejtpërdrejtë, të cilat raste, janë trajtuar përkitazi me ligjin”, thuhet në njoftim.
Madje, AIP kërkon nga partitë politike zbatimin e detyrimeve ligjore, duke mos ekspozuar të dhënat personale nëpërmjet postës elektronike.
“Për të siguruar zbatimin e ligjit, për mbrojtjen e të dhënave personale dhe njëkohësisht për të shmangur çdo veprim të Agjencisë kundrejt Partive Politike dhe subjekteve të përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos ekspozuar të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak”, thuhet tutje në njoftim.