Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka bërë të ditur se ajo dhe janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025.
“E përulur dhe thellësisht mirënjohëse. Jam thellësisht e lumtur dhe e nderuar se unë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) jemi nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ky vendim për nominim, i propozuar nga deputeti i Parlamentit Suedez, z. Magnus Jacobsson, më mbush me emocione të papërshkrueshme dhe mirënjohje të thellë,” bëri të ditur Rushiti në Facebook.
E para e QKRMT-së, ka falënderuar deputetin Jacobsson për mbështetjen dhe për amplifikimin e misionit të QKRMT-së, që për më shumë se 25 vjet ka punuar për rehabilitimin dhe drejtësinë për të mbijetuarit e torturës dhe dhunës seksuale gjatë konfliktit.
“Ky moment është një arritje e madhe për mua, ekipin e jashtëzakonshëm të QKRMT-së, dhe mbi të gjitha, për të mbijetuarit që kemi privilegjin t’u shërbejmë tash e 25 vjet. Ky moment i veçantë na frymëzon të vazhdojmë përpjekjet tona kolektive, duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit,” ka shtuar ajo.
Feride Rushiti, ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë mbështetur misionin e QKRMT-së gjatë këtij çerekshekulli, duke theksuar se ky moment i takon të gjithëve që besojnë në një botë më të drejtë dhe paqësore.