Lajme

Morën pjesë në tubime politike, IPK-ja rekomandon masa ndaj një koloneli dhe një majori

01/08/2025 11:19
nga:G B

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka iniciuar procedura disiplinore ndaj një koloneli policor dhe një majori që kanë marrë pjesë në tubime politike.

IPK ka rekomanduar suspendimin e kolonelit, ndërsa rastin e majorit e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës.

“IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike kurse rastin e majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës. Duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore”, thuhet nga IPK-ja.

IPK-ja ka thënë se çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund ta dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion.

“Roli i Policisë është kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim, dhe çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik. IPK vazhdon të mbetet e përkushtuar në mbështetjen e një Policie ku puna edhe angazhimi i saj bazohet nga vlerat e integritetit, neutralitetit dhe shërbimit të drejtë ndaj të gjithë qytetarëve”, ka njoftuar IPK-ja.