Lajme

Ferizaj në terr e me zhurmë gjeneratorësh, Visar Azemi me video e tregon gjendjen atje: Qytetarët dhe mërgata s’e meritojnë këtë

12/25/2024 22:42
nga:G C

Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka dalë në terren në Ferizaj, qytet që po përballet me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

Azemi këtë e ka quajtur kaos, duke shtuar është pasojë e paaftësisë së Qeverisë së Kosovës – “e cila është zhytur në korrupsion”, shton Azemi.

Ai përmendi Martin Berishajn e Nagip Krasniqin, figura që LDK-ja i lidh me mafinë energjetike.

“Këto pamje që po i shohim, këtë zhurmë të gjeneratorëve që po e dëgjojmë, na kujtojnë periudhën e pasluftës kur kemi pasur mungesa të mëdha të energjisë elektrike. Dhe sot, shumë vite më vonë, këtë gjendje e kemi si pasojë e mungesës së vizionit dhe investimeve në kapacitetet gjeneruese të energjisë elektrike. Kjo Qeveri nuk ka treguar vizion të qartë se si duhet ecur përpara për të gjetur zgjidhjen në sektor të energjisë. Është zhytur në korrupsion bashkë me Martinin dhe Nagipin dhe sot e kemi këtë gjendje. Qytetarët e Kosovës dhe as mërgata e cila po ndodhet këto ditë në Kosovë, gjatë festave të fundvitit, nuk e meritojnë që të festojnë në terr”, ka thënë Azemi.

Video u postua Facebook, ku Aemi ka shkruar se për katër vjet kanë arritur të ofrojnë zgjidhje dhe Kosovën e kanë kthyer me zhurmën e gjeneratorëve, kohë që kujton pasluftën në Kosovë.

“Qytetarët e Kosovës, por edhe mërgimtarët që kanë ardhur për pushime, festat e fundvitit po i presin në terr. Ka disa ditë që qytetarët e Ferizajit në këto ditë të ftohta por edhe bizneset, po përballen me reduktime të ashpra të rrymës”.

“Ky kaos në sektorin e energjisë është pasojë e paaftësisë së qeverisë e cila është zhytur në korrupsion. Për 4 vjet, nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje dhe me zhurmën e gjeneratorëve, na kanë kthyer në vitet e pasluftës”, ka thënë Azemi.