Lajme

Musliu akuzon deputeten e VV-së: Servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin

12/25/2024 11:55
nga:N K

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka ngritur shqetësime lidhur me, siç e quajti ajo, “tendencën e partisë në pushtet për të eliminuar kontrollin parlamentar mbi qeverinë”.

Në një konferencë për media, Musliu ka akuzuar kryetaren e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacollin, për neglizhencë të qëllimshme dhe abuzim me pozitën e saj.

Sipas Musliut, Pacolli ka dështuar të ushtrojë detyrimet e saj kryesore, duke mos ftuar në raportim ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, dhe ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga anëtarët e komisionit.

“Në këtë kontekst me një angazhim të vazhdueshëm kemi nxjerrë në pah tendencën kryesore të pushtetit aktual që është eliminimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë. Metoda e degjenerimit të këtij instrumenti demokratik kontrollues është elementi kryesor i pushteteve diktatoriale”, tha ajo.

“Deputetët e Vetëvendosjes e kanë dëshmuar se janë të papërgjegjshëm dhe tejet abuziv me besimin që morën nga qytetarët. Njëra nga këta deputetë të papërgjegjshëm dhe skajshmërisht të dëmshëm për funksionimin institucional është Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli. Ajo servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin dhe mbi përgjegjësinë e saj si pjesë e organit më të lart në vend: Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si anëtare e Komisionit Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim dua të theksoj që Fitore Pacolli u tregua ekstremisht e papërgjegjshme dhe abuzive për sa i përket legjislacionit në fuqi përmes së cilit sigurohet funksionimi i sistemit tonë demokratik parlamentar”, tha Musliu.

Musliu theksoi se gjatë vitit 2024, pothuajse të gjitha mbledhjet e komisionit janë thirrur pa respektuar procedurat dhe rregulloren e Kuvendit.

Ajo e quajti këtë një metodë të “degjenerimit të kontrollit demokratik” që është karakteristikë e pushteteve autoritare.

Ajo në vend të transparencës, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies, zgjodhi të mbështesë mendësinë grabitqare, korruptive, nepotiste dhe klienteliste të kësaj Qeverie. Duhet të theksoj se Fitore Pacolli si udhëheqëse e Komisionit në fjalë gjatë gjithë vitit 2024, asnjëherë nuk e ka ftuar në raportim ministrin Peci, përkundër faktit që ka pasur propozime dhe kërkesa të vazhdueshme nga anëtarët e Komisionit. Njëjtë ka vepruar edhe me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu. Për më tepër, pothuajse të gjitha mbledhjet e tjera të komisionit janë thirrur pa i respektuar procedurat dhe rregulloren e Kuvendit”, theksoi Musliu.