Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ekziston një ligj në Maqedoninë e Veriut që përcakton përdorimin e gjuhëve të tjera në këtë shtet, por që ai ligj nuk është vetëm për gjuhën shqipe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ësht pyetur nga mediat lidhur me mundësinë e shfuqizimit të disa neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se nuk ka ligj të veçantë për përdorimin e gjuhës shqipe në këtë shtet.
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, Kurti ka theksuar se ekziston një ligj për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, por ky ligj është i përgjithshëm dhe përfshin të gjitha gjuhët, dhe jo vetëm shqipen.
Ai gjithashtu ka potencuar se tre dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve janë dërguar në Komisionin e Venecias dhe që janë ende pa u zbatuar, duke shtuar se tani është në dorë të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që të vlerësojë situatën.
“Së pari me çfarë kam kuptuar unë kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Pasi tri dispozita të ligjit për përdorimin e gjuhëve janë dërguar te Komisioni i Venecias, dhe këto tri dispozita paradoksalisht nuk janë vu në jetë nuk janë zbatuar në të kaluarën dhe tash i përket Kushtetueses që ta vlerësoj. Por dua ta theksoj një gjë, në Maqedoni të Veriut nuk ka ligj për përdorimin e Gjuhës Shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën”, është shprehur Kurti.
Kurti ka deklaruar se dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut, por theksoi se nuk mund të thuhet se shqipja ka qenë ndonjëherë gjuhë zyrtare dhe tani po rrezikohet.
“Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që e përmend shifrën 20 për qind por ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe por për përdorimin e gjuhëve. Duhet të presim për një vendim të drejtë të Kushtetueses atje, i cili nuk bën përjashtime as diskriminim dhe i cili e respekton shumë gjuhësinë që ekziston në Maqedoninë e Veriut… Por në Maqedoninë e Veriut nuk mund të thuhet që na paska qenë shqipja gjuhë zyrtare e tash po u rrezikoka sepse kjo nuk është e vërtetë, ne dëshirojmë marrëdhënie shumë të mira fqinjësore, pro ka edhe organe tjera të shtetit që i marrin vendimet e tyre”, ka deklaruar Kurti.