Lajme

Krasniqi (LDK): Raporti është gjerësisht negativ si rrjedhojë e qeverisjes jokompetente të Vetëvendosjes

10/30/2024 21:08
nga:G C

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi ka shpërndarë sot disa vërejtje fillestare nga Raporti i Progresit për Kosovën, i publikuar nga Bashkimi Evropian, raporton GazetaBlic.

Ajo e përshkroi raportin si “gjerësisht negativ,” duke e lidhur këtë me “qeverisjen jokompetente të Vetëvendosjes,” e cila, sipas saj, ka armiqësuar Kosovën me partnerët strategjikë dhe ka dështuar të sjellë njohje ndërkombëtare.

Deputetja theksoi shqetësimin për numrin e madh të vërejtjeve serioze ndaj Qeverisë dhe shumicës parlamentare, duke theksuar se “raporti ka gjetur se rekomandimet e raportit nga viti 2023 nuk janë zbatuar thuajse në asnjë fushë.”

Ajo theksoi se këshillat dhe rekomandimet e BE-së nuk janë marrë parasysh në shumicën e ligjeve dhe politikave kyçe, duke çuar në “progres të limituar thuajse në çdo fushë të qeverisjes.”

Disa nga vërejtjet e theksuara nga Krasniqi përfshijnë:

Dështimi i Qeverisë për të ndërtuar një dialog konstruktiv për të avancuar agjendën e BE-së.
Rreziku i reformave kryesore dhe mosmbajtja e konsultimeve publike.
Progres i kufizuar në reformën e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.
Pushteti ka bërë përpjekje për të ushtruar kontroll mbi mediat.
Dobësi në menaxhimin e investimeve publike dhe parregullsi në sistemin e prokurimit.