Lajme

“Lojë politike para zgjedhjeve”/ Lekaj për Asociacionin: Po i vjen fundi mashtrimeve të Kurtit

10/30/2024 10:58
nga:G B

Çështja e Asociacionit është bërë sërish temë aktuale. Kryeministri Albin Kurti tha se kryeministrat nuk bëjnë Asociacione, derisa ka thënë se po ta pranonte Asociacionin e propozuar, ai do ta minonte

Kurti ka thënë se para ndërkombëtarëve ka shprehur gatishmërinë për të shkruar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por se për këtë është refuzuar.

Ai gjithashtu tha se meqenëse Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione të komunave, duke shtuar se kjo duhet të vijë nga komunat.

Por, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë për Gazeta Blic se Asociacioni është mashtrimi i radhës nga Qeveria, derisa kjo thotë se po bëhet tani në kohë zgjedhjesh.

“Sa i përket asociacionit dhe marrëveshjes së Brukselit, i dini deklarimet e kryeministrit. Ai e ka pranuar një marrëveshje të tillë dhe po ashtu aneksin, por ai ka deklaruar se Vuçiq nuk e ka pranuar. Mirëpo ne i pamë deklaratat e zyrtarë të lartë të BE-së që thanë se janë detyrime të obligueshme për të dyja palët. Prandaj ky është mashtrimi i radhës dhe deklaratat e kryetarit të Kuvendit dje janë më tepër politike dhe elektorale sepse kemi hyrë në një fazë parazgjedhore dhe janë për konsum të brendshëm dhe mashtrime për qytetarët e Kosovës. Shkurt, qeveria e Kosovës e ka pranuar marrëveshjen dhe është e obligueshme që ta dërgojë në kushtetuese”, u shpreh ai.

Loja e quan lojë politike Asociacionin, teksa thotë se Kurti nuk do ta dërgojë në Kushtetuese këtë mandat, por kanë premtuar se do ta bëjnë në mandatin tjetër nëse vijnë në Qeveri.

“Mendoj që janë lojëra politike elektorale dhe mashtrim i radhës, s’do ta dërgojnë në Kushtetuese këtë mandat dhe me siguri që kanë premtuar që do ta dërgojë asociacionin në Kushtetuese nëse vijnë në qeveri, që nuk besojnë që vijnë. Jemi mësuar me mashtrimet e z.Kurti dhe të gjitha digastereve që janë marrë me dialog. Ne nuk dialog dhe përkundrazi ne kemi sanksione për mosveprim”, vlerëson Lekaj për Gazeta Blic.

Deputeti potencon se askush s’ka të drejtë ta thotë mendimin e Kushtetueses, teksa flet për deklaratën e Kurtit se Asociacioni do ta minonte Kushtetutën.

“Askush nuk ka të drejtë ta thotë mendimin e Gjykatës Kushtetuese, ne duhet t’i besojmë asaj gjykate. E kemi bërë të qartë që nuk është dashur të pranohet një asociacion me kompetenca ekzekutive, këta e kanë pranuar dhe tani bëjnë manovra me qytetarët e Kosovës. Për 4 vite kemi qenë në terr informativ, me mashtrime dhe ja që ngadalë po i vjen fundi mashtrimeve të Kurtit, sidomos për dialogun dhe Asociacionin. Ne si AAK e kemi bërë të qartë se nuk duhet të pranohet një asociacion me kompetenca ekzekutive  dhe nuk ma merr mendja që Gjykata jonë Kushtetuese mund të pranojë diçka të tillë që të krijojë sistem të tretë qeverisës në Kosovë”, vlerëson ai.

Po ashtu, Lekaj thotë se masat nuk do të hiqen derisa nuk dërgohet draftstatuti i Asociacionit në Kushtetuese dhe se presioni do të shtohet.

“Mendoj që derisa nuk hiqen masat është presion i BE-së për dërgim të draft statutit të Asociacionit në kushtetuese dhe mendoj se do të shtohen presionet por ne duhet të sillemi sipas ashtu që të mos pranojmë asociacion me kompetenca ekzekutive por ja që ky kryeministër ka pranuar një marrëveshje të tillë dhe u panë deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së që duhet patjetër që asociacioni në Kushtetuese”, deklaron deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/

 

Kurti për draftin e Asociacionit: Kryeministrat s’bëjnë Asociacion

Kurti: Asociacioni do ta minonte Kushtetutën e Kosovës