Lajme

Statovci për incidentin në Shkup: Trajtimi jo dinjitoz i Osmanit nga një zyrtar tendencioz maqedonas është i papranueshëm

08/01/2024 23:15
nga:G B

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka reaguar pas skandalit diplomatik në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Statovci tha se trajtimi jo dinjitoz i Osmanit, nga siç e quajti ajo, një zyrtar tendencioz maqedonas dhe me mendësi të së kaluarës, është i papranueshëm.

“Trajtimi jo dinjitoz ndaj Presidentes së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani, nga një zyrtar tendencioz maqedonas dhe me mendësi të së kaluarës, në kundërshtim total me  Konventën e Vjenës, është i pa pranueshëm”.

“Raportet e Kosovës me Maqedoninë kanë qenë përherë konstruktive dhe evropiane, sjellje të tilla nuk i takojnë mendësisë demokratike dhe rregullave ndërkombëtare midis shteteve të pavarura”, tha Statovci.

Në lidhje me skandalin diplomatik ka reaguar edhe presidenca, ku këshilltari për media, Bekim Kupina, thanë se zyrtari i sigurimit të aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes dhe ka tentuat ta shtyjë fizikisht.

“Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”, tha Kupina.