Inxhinier i ndërtimtarisë, Arsim Rapuca, në një intervistë për Gazeta Blic, u deklarua rreth ndërtimeve dhe komplekseve residenciale në Kosovë, zhvillimit dhe sigurisë së punëtorëve.
Ai tha se ka ndërtim konstant por jo edhe rritje më shumë sesa ka pasur kohëve të fundit, duke theksuar kryeqytetin me më shumë kërkesa ndërtimore.
“Ndërtim ka konstant, nuk mundemi me thënë që ka rritje por është një trend konstant, disa qendra kanë më shumë normalisht Prishtina ka pak më shumë shkaku edhe interesi i njerëzve është më shumë në kryeqytet edhe i blerësve është më i madh, por unë mendoj se është një trend konstant. Ndoshta mund të ketë një rënie por nuk besoj se ka rritje më shumë sesa ka pasur kohëve të fundit. Por, besoj që kërkesa e njerëzve me pasë pronë, apartamente dhe kërkesa me pasë edhe objekte të tjera, nuk do të thotë vetëm ndërtime për banim, por edhe hotele, objekte me karakter të bizneseve, hotelerive, të mallrave, pra kjo është kërkesë sepse nëse nuk do të ketë kërkesë nga njerëzit nuk do të ketë ndërtim sepse investitori nuk mund të bëjë ndërtime nëse nuk ka shitje dhe interes për atë që e bën”, deklaroi ai.
Tutje, ai thotë se sektori i ndërtimtarisë mbetet si sektori më i vështirë, duke hasur në sfida, që nga pajisja me leje ndërtimore.
“Ndërtimtaria është lami shumë e vështirë, ka sfida dhe e para është deri të pajiset me leje ndërtimore ka një procedurë goxha komplekse, pastaj gjatë ndërtimit ka shumë sfida si siguria në punë sepse gjithmonë rreziku gjatë ndërtimeve është më i madh, mirëpo teknologjia tash është duke avancuar nuk ka diçka që nuk të realizohet. Sa i përket materialeve tash është në rregull sepse tash ka mundësi me u furnizu prej të gjitha vendet të botës, ka edhe prodhues në Kosovë që prodhojnë materiale të ndërtimit. Por, secili ndërtim i ka vështirësitë e veta sepse nuk është njëjtë si me ndërtu një ndërtesë të lartë, si një të vogël ose si një ndërtim me hapësirë të mëdha, ose si një ndërtim në qytet ku është dendësia e ndërtimeve është më e lartë, sikur jashtë qytetit. Por, kryesisht ndërtimi është mjaft kompleks”, tha ai.
Rapuca tutje tregon sesi procesi i ndërtimtarisë involvon edhe biznese të tjera, si dhe thotë se siguria e punëtoreve vazhdon të mbetet e pakënaqshme.
“Procesi i ndërtimit involvon edhe shumë biznese të kyçen, pra duke filluar nga materialet ndërtimore. Nëse një ndërtim ka nevojë për materiale ndërtimore, ato materiale faktikisht prodhohen dhe transportohen diku, punësohen shoferë të transportit, punësohen njerëz ose fabrika që i prodhon ato materiale, etj. Faktikisht, çdo lami që ndërlidhet me ndërtim zhvillohet e mban një trend, pra çdo ndërtim i kyç shumë lami të tjera edhe faktikisht e rritë normalisht ekonominë e asaj zone”, theksoi ai.
“Masa merren por nuk janë të mjaftueshme. Siguria e punëtorëve momentalisht nuk është shumë e kënaqshme, duhet të jetë pak më rigoroze. Shteti duhet mos me pas kompromis në siguri sepse ndodhin shpesh humbje jetësh në sektor të ndërtimtarisë në përgjithësi, por jo në masë të madhe siç po ndodhin tek ne. Siguria e punëtorëve është një sfidë në vete, këtu duhet të vetëdijesohen pak edhe vetë punëtorët edhe menaxherët e kompanive që me e pas një rigorozitet më të madh në këtë aspekt. Unë vetë kam përvojë me kompani ndërkombëtare, kam punuar në dy autostrada të Kosovës, aty ka qenë obligative të jenë këpucët, helmetat, jelekët ndriçues dhe syzet me i bartë. Mandej në çdo lartësi duhet të jetë i lidhur punëtori, pastaj skeleria duhet me qenë patjetër për mbrojtje. Mendoj që kjo është shumë e rëndësishme dhe duhet me u shtrëngu më shumë këtë aspekt, thjesht edhe inspektoriati duhet të dalë më shumë në teren dhe të mos ketë kompromise në dënime derisa të vetëdijesohet edhe punëtori edhe menaxherët e kompanisë”, vazhdoi tutje ai.
Më tej, inxhinieri i ndërtimtarisë thotë se trendi i ndërtimeve në Kosovë nuk do të ndalet kurrë, për sa kohë ka nevoja dhe kërkesa.
“Ku është nevoja është edhe kërkesa, edhe investitori edhe shteti investon, në Kosovë ka pak më shumë nevojë për qendra sportive, këtë e them me plot kuptimin e fjalës, ka nevojë për të gjitha lamitë si stadiume, fusha tjera sportive. Edhe me kulturën ka nevojë shumë me investu. Trendi i ndërtimeve kurrë nuk ndalet, Kosova nuk ka numër të madh të banorëve, nuk ka mundësi me qenë ky trend që është tash, ka mundësi që mund të ketë rënie por ndërtimi nuk ndalet kurrë sepse ka nevoja për riparime, përforcime të objekteve ekzistuese, ruajtjen e objekteve të vjetra, mirëmbajtjen, kështu ndërtimi ka me qenë nevojë gjithmonë dhe jo vetëm ndërtimet e larta por edhe ndërtimi i urave, rrugëve kështu që unë mendojë që ndërtimi nuk ndalet kurrë aq sa jeton njeriu”, u shpreh ai.
I pyetur për masat e ndërmarra për sektorin e ndërtimtarisë shkak i temperatura të larta, inxhinieri i ndërtimtarisë Arsim Rapuca thotë se është një vendim i mirë përderisa është i vendosur nga ekspertët e asaj lamie.
“Unë mendoj që është një vendim i mirë për aq sa e kanë marrë ekspertë të kësaj lamie, sepse ka shumë punëtorë që punojnë në lartësi të ndryshme dhe temperaturat e larta mund të shkaktojnë marramendje, efekte dhe mund të rrëzohen dhe të shkaktohen vdekje. Ka kompani që kanë dërguar punëtorët në pushime kështu që e kanë shfrytëzuar kohën, dhe unë mendoj që është një vendim i drejtë. Normal për kompani por edhe për vetë punëtorët është pak vështirë por duhet respektuar çka vjen prej ekspertëve përkatës duhet të respektohet”, përfundoi inxhinieri i ndërtimtarisë Arsim Rapuca./GazetaBlic/