Qeveria ditë më parë mori vendim që t’ua paguajë mërgimtarëve policën kufitare.
Ndërsa, së fundi kryeministri Kurti bëri ofertë për ata që të investojnë në Kosovë, duke u thënë se do t’ua garantojnë kreditë.
Pas kësaj pati reagime të shumta se këto të gjitha po bëhën për vota nga diaspora.
Kështu mendon edhe analisti politik, Shemsi Jashari, i cili në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se këto janë joshje në kohë zgjedhjesh dhe mashtrim për vota.
“Veprimet e z.Kurti në adresë të diasporës nuk janë asgjë tjetër përveçse joshje me qëllim të votave tani kur jemi në prag të zgjedhjeve nacionale. Garantimi i kredive për investime në Kosovë, pagesa e sigurimit kufitar janë vetëm instrumente, mjete për mashtrim për vota”, thotë ai.
Jashari thekson viteve të kaluara shumica e mërgimtarëve nuk janë rimbursuar për polica kufitare.
“Në vitet e kaluara për shkak të burokracisë shumica e mërgimtarëve nuk janë rimbursuar për polica të sigurimeve. Cili mërgimtar humb pushimin për të vrapuar pas kërkesave për rimbursim??” potencon ai.
Analisti pyet se si mund të pret qeveria investime nga diaspora, derisa vazhdimisht flet për luftë e sulme nga Serbia dhe ka buxhet e nuk investon fillimisht vet.
“Si pret investime nga diaspora kur vazhdimisht alarmon për luftë dhe sulme nga Serbia? Biznesi do siguri edhe fizike por edhe juridike, kjo qeveri vazhdimisht akuzon gjyqësorin dhe prokurorinë si të kriminalizuara!! Si do t’i zgjidhin kontestet nëse bizneset përballen me to? Si qeveri s’ka investime derisa buxheti mbetet i pa shpenzuar, si pret të investojnë tjerët, kur vet nuk investon?” shprehet ai për Gazeta Blic.
Jashari kujton premtimin e Kurtit për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës që nuk është bërë, derisa shton se këto veprime s’do të kenë efekt ekonomik dhe janë për mbledhje të votave.
“Diaspora ka pritur se do të hapej Aeroporti i Gjakovës dhe asnjë veprim për funksionalizim nuk është ndërmarrë nga z.Kurti!! Kjo dhe veprimet që do t’i shohim në këta muaj para zgjedhjeve janë në funksion të mbledhjes së votave dhe asnjë efekt ekonomik nuk do ta kenë”, deklaron Shemsi Jashari./Gazeta Blic/


