Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ai do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft statutin e Asociacionit, ndërsa Miroslav Lajçak mund ta dërgojë në draftin e tij në Komisionin e Venecias.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar sot se nuk është kompetencë e BE-së që të propozojë draft për Asociacionin, duke shtuar se BE po tenton me zor t’ia marrë këtë kompetencë Kosovës.
Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është trend i ulët i VV-së që të ushqejë ndjenja kundër BE-së te populli i Kosovës dhe deklarata e Konjufcës është e turpshme.
“Ushqimi i ndjenjave kundër BE-së tek populli i Kosovës është tendencë dhe trend shumë i ulët i VV-së dhe ky prononcim i Konjufcës përveç që është i pavërtetë, është i turpshëm. Këta njerëz si duket ende janë të dehur nga rezultati zgjedhor i 2021 dhe tash rrenën brutale dhe mashtrimin e kanë shndërruar në mënyrë të jetës”, shprehet ai.
Sipas Arifit, aleatët e kanë lutur Kurtin që të përgatisë një draft statut për dy vite dhe ta dërgojë në Kushtetuese por që Kurti s’ka pranuar.
Ai vlerëson se Kurti ka menduar se mund të tallet me ta me retorika bishtnuese, duke shtuar se kjo tallje është me veten e tij.
“Për dallim nga më herët, ka gati dy vite që aleatët tanë e kanë lutur Kurtin të përgatisë draft statut dhe ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese konform marrëveshjes se Brukselit e sidomos asaj të Ohrit që Kurti e ka pranuar. Gjatë gjithë kohës Kurti ka menduar se mund t’i tall ata me retorika bishtnuese dhe boshe siç është edhe kjo e Komisionit të Venecias. Kjo tallje e tij doli të jetë tallje me vetveten sepse tash BE dhe SHBA janë duke u barrikaduar rreth draftit të Lajçakut dhe asnjë variant tjetër më të mirë Kosova s’do të ketë. Kjo politikë katastrofale pashmangshëm do t’i sjell Kosovës dëme të pariparueshme dhe afatgjate”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/
Konjufca: BE-ja po do me zor me ia marr kompetencën Kosovës për draftin e Asociacionit