Lajme

“Infeksionet seksualisht të transmetueshme mund të shkaktojnë inferlitet” | Gjinekologu Prenaj jep detajet

05/31/2024 11:40
nga:N K

Infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST), të njohura gjithashtu si sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST), shkaktohen nga viruset, bakteriet dhe parazitët. Ato përfshijnë një gamë të gjerë sëmundjesh me simptoma dhe pasoja të ndryshme. Kuptimi dhe trajtimi i IST-ve është i rëndësishëm për shëndetin seksual dhe mirëqenien e përgjithshme të çdo individi.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua gjinekologu Driton Prenaj ku tha se infeksionet seksualisht të transmetueshme janë infeksione që barten me rrugë seksuale.

“Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST) janë infeksione që zakonisht barten me rrugë seksuale gjatë aktit seksual”, deklaroi ai.

Tutje ai tregon shenjat kryesore paralajmëruese të një IST-je, si dhe shenjën më të shpesht që paraqitet gjatë marrëdhënieve seksuale.

“IST-me mund të jenë pa shenja të dukshme në fillim deri tek më të ndryshmet, varësisht nga shkalla, lloji dhe koha e infeksionit. Më e shpeshta shenjë është sekreti vaginal i shtuar. Një infeksion me HPV në fillim është pa shenja mirëpo nëse sëmundja avancohet mund të ketë gjakderdhje në kontakt seksual, aromë të rëndë si dhe dhimbje në fund të barkut”, tha ai.

Poashtu tutje gjinekologu tregon se kush është më i rrezikuar nga infeksionet seksualisht të transmetueshme, dhe se a mund të infektohen personat vetëm me një kontakt seksual.

“Dy infeksionet më të rrezikshme janë HIV dhe HPV ngase të dyja barten me rrugë seksuale, në fillim janë pa shenja dhe mund të shkaktojnë sëmundje të rënda deri në vdekje. Mund të përhapen me një kontakt seksual, si dhe HIV mund të infektohet edhe nëse përdorim masa mbrojtëse. Kurse tek HIV përdorimi i masa mbrojtëse ka efekt”, u shpreh ai.

Më tej, Prenaj thotë se infeksionet seksualisht të transmetueshme mund të prekin të gjitha moshat që janë aktive në jetën seksuale si dhe pasojat janë varësisht nga lloji i infeksionit.

“Të gjitha moshat seksualisht aktive preken prej këtyre infeksioneve si dhe të dya gjinitë kanë mundësi të infektohen nga IST-ja, varësisht prej llojit të infeksionit dhe sëmundjes që e shkaktojnë mund të jenë të lehta, mund të shkaktojnë inferlitet, mirëpo ka sëmundje që mund të shkaktojnë edhe vdekjen siq janë infeksionet me HIV dhe nga HPV-ja nëse shkaktohet kanceri i qafës së mitrës”, theksoi Prenaj.

Për në fund gjinekologu Prenaj përmend masat mbrojtëse si faktorë ndihmues në parandalimin e këtyre infeksioneve seksualisht të transmetueshme.

“Parandalimi është duke përdorur masa mbrojtëse, duke shmangur kontaktin seksual me shumë persona, por edhe duke bërë kontrollë rutinore apo të vazhdueshme tek gjinekologu për femrat dhe strisho për hulumtim”, përfundoi gjinekologu Driton Prenaj.