Lajme

Musliu-Shoshi: Nuk shoh mundësi që të shpërbëhet Kuvendi përderisa nuk i kemi votat e partive të tjera opozitare!

05/22/2024 12:51
nga:Y I

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me shpërbërjen e mundshme të Kuvendit.

Musliu-Shoshi tha se PDK ka qenë në koordinim të ngushtë me partitë opozitare në lidhje me këtë çështje por të njëjtit kanë qëndrim zyrtar se nuk e votojnë shpërbërjen e kësaj legjislature.

Ajo tha se nëse nuk i kanë edhe votat e dy partive të tjera opozitare, ata si PDK së bashku me pozitën, nuk i kanë votat e nevojshme.

“Ne kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm me partitë opozitare dhe në bashkëpunim të ngushtë me to. Kryetari Krasniqi i ka takuar kryetarët e partive opozitare të LDK-së dhe AAK-së para se të takohej me zotin Kurti mirëpo siç tashmë e dini edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe Lidhja Demokratike kanë qëndrim zyrtar që nuk votojnë për shpërndarjen e Kuvendit. Prandaj nëse nuk i kemi votat e dy partive të tjera nuk i kemi votat ne si Parti Demokratike me mazhorancën. Prandaj nuk shoh që ka mundësi që të shpërbëhet Kuvendi përderisa nuk i kemi edhe votat e partive të tjera opozitare” deklaroi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi për “Gazeta Blic”.

Disa ditë më parë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Ata ndër të tjera kanë folur edhe në lidhje me mundësinë e mbatjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Krasniqi është shprehur se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe se janë të gatshëm të gjejnë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.

“Jemi te gatshëm që të gjejmë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët. Unë kam punuar për këtë çështje, pa dashur të marrë flamurin e protagonistit, sepse e konsideroj më të rëndësishme që të arrijmë këtë moment, se zgjedhjet janë nevojë e vendit dhe domsdoshmëri”- u shpreh Krasniqi raporton Gazeta Blic.

Por nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë kanë deklaruar se nuk votojnë për shpërbërjen e Kuvendit nëse Kurti nuk jep së pari dorëheqjen.

/Gazeta Blic/

Krasniqi pas takimit me Kurtin, tregon për çka biseduan

Kurti pas takimit me Krasniqin: Diskutuam edhe për zgjedhje, i interesuar ta dijë cila është stina e përshtatshme për mbajtjen e tyre