Është e vërtetuar se abortet shoqërohen me pasoja psikologjike, sociale dhe shëndetësore. Pas abortit, një pjesë e grave paraqesin ndjenjë faji, trishtimi dhe humbje. Një tjetër problem psikologjik, është reagimi i partnerit mashkull ndaj abortit.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua psikologia Donika Shahini Lami, e cila tha se dështimi i një shtatzënie ndikon drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të saj dhe jo vetëm.
“Aborti spontan, i njohur gjithashtu edhe si dështim i shtatzënisë, ndikon në mendimet dhe mirëqenien direkte të gruas. Drejtpërdrejt, humbja e shtatzënisë ndjehet në shumicën e rasteve sikurse humbja e personit më të dashur. Kaplohen nga një trishtimi i madh dhe një gjendje që në ditët e para duket e pakuptim dhe e pakapërcyeshme”, deklaroi ajo.
Tutje, ajo flet për mundësinë e fajësisë që gratë e kthejnë ka vetja e tyre në rastin e abortit apo quajtur ndryshe dështimin e shtatzënisë.
“Shumë gra, shpesh e bëjnë veten e tyre fajtore se mos kanë gabuar diku, pyesin se mos rastësisht ato mund të jenë shkaku që ka dërguar tek aborti spontan. Këto mendime në shumicën e rasteve nuk kanë bazë, por ndjenja e fajit është aq e madhe se në fillim gratë e kërkojnë tek vetja e tyre si dyshim i mundshëm. Janë shumë të frustruara, të zemëruara dhe tejet të zhgënjyera. Me mijëra pyetja i adresojnë nga vetja se si erdhi situata”, tha psikologia.
“Gjithashtu, nga frika e madhe shpesh herë kalojnë në gjendje ankthi, izolohen dhe parapëlqejnë të mbyllen në dhoma në mënyrë që mos të ballafaqohen me njerëzit që mund t’ju parashtrojnë pyetje të pakuptimta dhe shpesh herë edhe të tilla që mund të ju kthej emocionin sikurse në ditën e parë kur ka ndodhur gjendja. Janë aq të ngarkuara sa shpesh pohojnë se të tjerët nuk ua dinë gjendjen e tyre dhe as që ua kuptojnë edhe dhimbjen nëpër të cilën ato po kalojnë”, vazhdoi Shahini Lami për Gazeta Blic.
Po ashtu, ajo tregon dhe për frikën që grave iu zhvillohet për një shtatzëni të ardhshme dhe që konsiderohet si e zakonshme.
“Pas një aborti spontan, gratë mund të ndihen të shqetësuara për mundësinë e një shtatzënie të ardhshme dhe frikën se sërish mund të pësojnë një abort tjetër. Raste të shpeshta drejtohen edhe kah ndryshimet në vetëvlerësim, duke i bëra ato të ndjehen se kanë dështuar në rolin e tyre si nënë e ardhme. Frika për një shtatzëni të ardhshme është e zakonshme. Edukimi dhe informimi mbi shkaqet e abortit, konsultimi me profesionist të fushës ndikon gjithashtu në uljen e ankthit”, tha ajo.
Më tej, psikologia tregon dhe për ndryshimin në ndjenjën e identitetit të nënave, pasi kanë pësuar abortin dhe se si e përjetojnë këtë ndryshim nënat.
“Përjetimi i një aborti spontan mund të ndikojë në ndjenjën e identitetit si nënë. Shumë gra pas abortit humbjen e konsiderojnë shumë të dhimbshme dhe shpesh e konsiderojnë që kanë humbur edhe një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. Ndjenja e dështimit dhe vetëdyshimit luan rol tejet negativ në identitetin e gruas. Ajo, deri në atë moment ishte e përgatitur të priste në jetë gjënë më të vlefshme për të dhe në të kundërtën i ndikon drejtpërdrejtë”, potencoi ajo.
Sipas psikologes Shahini, aborti ndikon në marrëdhënien emocionale dhe fizike midis nënës dhe partnerit pas procesit të abortit, ku ndodh që nënvetëdije prindërit të gjykojnë njëri-tjetrin.
“Aborti ka një ndikim të thellë në marrëdhëniet emocionale dhe fizike midis gruas dhe partnerit. Të dy partnerët mund të ndjejnë zemërim dhe frustrim. Shpesh pavetëdijshëm partnerët e gjykojnë njëri-tjetrin. Kjo sjell tension dhe konflikte brenda marrëdhënies bashkëshortore dhe shpesh shpie edhe tek një distancë emocionale. Shpesh gratë theksojnë se partnerët e tyre nuk ju kuptojnë dhimbjen dhe nuk janë aty për t’i përkrahur emocionalisht, kurse nga ana tjetër edhe partnerët përjetojnë situata të rënda sepse mund të ndjehen në faj për pamundësinë për t’i mbrojtur ose bërë më shumë”, theksoi ajo.
“Edhe dëshira për intimitet fizik ndikohet ndjeshëm. Disa gra ndjehen të larguara nga intimitetit fizik pasa abortit për shkak të dhimbjes emocionale. Po ashtu, edhe pasiguria nga ana e partnerëve vie në shprehje. Për të kaluar këtë situatë është shumë e rëndësishme që të dy partnerët të komunikojnë dhe ndihmojnë njëri tjetrin”, vazhdoi tutje psikologia.
Psikologia Shahini flet dhe për ndërhyrjet psikologjike më efektive për të ndihmuar nënat të trajtojnë emocionet dhe mendimet pas një aborti, si terapia kognitive dhe mbështetja nga rrethi familjar.
“Ndërhyrjet psikologjike janë thelbësore për të ndihmuar gratë të përballen me emocionet dhe mendimet e tyre pas abortit, me gjendjen e tyre si Terapia Kognitive Bihejviorale (CBT), është një metode shumë efektive për trajtimin e depresionit, ndjenjave negative, ankthit dhe mbështetja nga rrethi dhe familja është kryesore. Ndërhyrjet psikologjike duhet të jenë të përshtatura për nevojat individuale të secilës grua dhe të ofroj një kombinim të mbështetjes emocionale, edukimit dhe teknikave specifike për ta përballuar gjendjen”, potencoi ajo.
Për në fund, psikologia përmendi mundësinë për zhvillimin e problemeve mendore pas një aborti dhe si mund të trajtohen ato, ku tha se në rast të mos marrjes së mbështetjes së duhur ka gjasa që të kalojnë në fazën e depresionit.
“Studimet dhe evidencat kanë treguar se gratë që kanë përjetuar një abort nuk kanë rrezik për zhvillimin e problemeve serioze mendore. Megjithatë nëse nuk marrin mbështetje të duhur edhe munden që nga çrregullimi i ankthit të kalojnë edhe në depresion, prandaj rekomandohet fuqishëm trajtimi psikologjik dhe mbështetja nga gjitha anët”, përfundoi psikologia Donika Shahini Lami.
/GazetaBlic/


